Shumica s`mund t`ia caktojë ministrat pakicës: Pse emërimi i Nenad Rashqit është antikushtetues? - NACIONALE

Shumica s`mund t`ia caktojë ministrat pakicës: Pse emërimi i Nenad Rashqit është antikushtetues?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Njohësit e çështjeve kushtetuese e kanë kontestuar emërimin e Nenad Rashqit në pozitën e ministrit për Kthim dhe Komunitete.

Ata kanë bërë me dije se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën kur ka vendosur që Goran Rakiqin, i cili është dorëhequr, ta zëvendësojë me Nenad Rashiqin.

Sipas tyre, demokracia në Kosovë nuk lejon që shumica të ia caktojë ministra pakicës.

Njohësi i çështjeve kushtetuese Durim Berisha ka treguar për gazetën Nacionale se pse vendim i kryeministrit Kurti është jo kushtetues.

Ai ka thënë se interpretimi që po e bën Qeveria Kushtetutës është i gabueshëm.

Përfaqësimi i pakicave duhet shikuar në frymën e tërësisë së rendit juridik të Kosovës që në thelb ka shoqërinë shumetnike dhe garantimin e të drejtave kushtetuese, por edhe politike të pakicave kombëtare. Interpretimi i Qeverisë se Kushtetuta nuk parasheh dispozita eksplicite për konsultim apo miratim të ministrave gjatë ndryshimit të përbërjes së kabinetit është po aq gabim dhe i pabazë sa interpretimet që e cilësonin hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend si akt politik përmes të cilit deputeti ushtron funksionin e tij. Ky është një interpretim i shkoqitur dhe i devijuar i një norme te vetme e cila nuk paraqitet në këtë rast si ‘normë speciale’”, ka thënë ai.

Berisha ka treguar se në momenti që dikush i drejtohet Kushtetuese për këtë çështja, ministri Rashiq do të rrezohet.

Në Kosovë emërime të ngjashme pati bërë edhe ish-Kryeministri Haradinaj, por kjo praktikë nuk e përjashton tekstin kushtetues. Në drejtësinë evropiane-kontinentale vlen parimi ‘pa padites s'ka gjykatë’. Pra për aq kohë sa një palë e autorizuar nuk i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, një paligjshmëri nuk mund të evitohet në këtë rast, por edhe një praktikë e paligjshme nuk mund të shërbejë si burim i të drejtës”, ka thënë Berisha.

Edhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë vendimi Kurtit për të bërë ministër Rashiqin ka probleme të mëdha kushtetuese.

Ky emërim në aspektin kushtetues ka defekte jashtëzakonisht serioze. Sepse për emërimin e ministrave dhe zëvendësministrave që nuk janë anëtarë të Parlamentit kërkohet miratimi formal i shumicës së komuniteteve që janë deklaruar se e përfaqësojnë atë komunitet që është pakicë në Kosovë. Kjo nuk ka ndodhur gjë që është gabim. Do të thotë duhet 50+1 e deputetëve serbë që supozohet se e përfaqësojnë këtë komunitet. Përtej kësaj, çdo herë kërkohet konsultimi dhe nuk mund të bëhet pa konsultim me forcat politike të atyre komuniteteve pakicë që thonë se i përfaqësojnë ata ministra ose zëvendësministra”, ka thënë Hasani për “Kohën”.

Ai është shprehur i bindur se nëse Lista Serbe ankohet në Kushtetuese do ta fitojë rastin.

Unë jam i bindur që po të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese e fitojnë sepse është e qartë që natyra e demokracisë në Kosovë është konsociacionale për shkak se po të ishte kështu që shumica me ia caktu funksionarët dhe përfaqësuesit pakicës, atëherë një pjesë e madhe e dispozitave nuk kish pas nevojë me qenë aty. E keni rastin e njëjtë me emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, po ashtu të posteve tjera të larta që janë të rezervuara për ta dhe nuk guxon të shkojë ndryshe”, ka thënë Hasani.

E shqetësuar edhe BE-ja

Ndaj vendimit të kryeministrit për të emëruar Nenad Rashiq në pozitën e ministrit për Komunitete dhe Kthim është shprehur i shqetësuar edhe Bashkimi Evropian.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se emërimi nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Sipas vlerësimeve preliminare, emërimi i tij nuk ka qenë në përputhje me kushtetutën”, ka thënë Stano.

Ai i ka ftuar institucionet e Kosovë që ta respektojnë Kushtetutën.

Është shumë e rëndësishme që të gjitha emërimet e ministrave të jenë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. U bëjmë thirrje autoriteteve në Kosovë që të sigurojnë respektimin e kushtetutës. Sipas leximit tonë preliminar, ky emërim nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.”, ka thënë Stano.

Lista Serbe ka kundërshtuar fuqishëm emërimin e Nenad Rashiq në pozitën e ministrit për Komunitete dhe Kthim. Ky subjekt politik ka paralajmëruar se do të ankohet në Kushtetuese për këtë çështje.

Ndaj këtij vendi të kryeministrit Kurti ka reagua edhe Beogradi Zyrtar.

Më 5 nëntor, Lista Serbe ka marr vendim që të largohet nga institucionet qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe nga komunat në veri të vendit.

Në këtë mënyrë, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, është larguar edhe nga pozita e ministrit për Komunitet dhe Kthim.

Largimi i serbëve nga institucionet lokale dhe qendrore kishte ndodhur për shkak të vendimit të Qeverisë për targat ilegale.

Nenad Rashiq është kryetari i Partisë Demokratike Progresive, e cila nuk është e përfaqësues në Kuvendin e Kosovës. Ndërsa, Lista Serbe ka zëvendësuar deputetë të cilët ishin dorëhequr në fillim të muajit nëntor.

Lajme të ngjashme