Shumë shtete ndajnë ndihma për Turqinë e Sirinë, Australia 10 milionë dollarë
Disa shtete të huaja kanë premtuar ndihma të konsiderueshme për Turqinë dhe Sirinë pas tërmetit të fuqishëm që la mijëra të vdekur e të lënduar në këto vende.
Kryeministri australian, Anthony Albanese, tha të martën se vendi i tij do të dhurojë “fillimisht” 10 milionë dollarë australianë për grupet humanitare.
“Asistenca e Australisë do t’i ketë në shënjestër ata që kanë më së shumti nevojë”- tha ai, duke u shprehur ngushëllime të prekurve.
Edhe kryeministri i ri i Zelandës së Re, Chris Hipkins, i cili është duke e vizituar Australinë, tha se qeveria e tij do të ofrojë 1.5 milion dollarë ndihma.
Ndërkohë ndihmë ka ofruar edhe Koreja e Jugut. Presidenti i këtij shteti, Yoon Suk-yeol, dha urdhër të martën në mëngjes për të dërguar ekipe të shpëtimit e ndihma emergjente mjekësore në Turqi.
“Yoon urdhëroi agjenci përkatëse qeveritare... që të dalin me masa shtesë të përkrahjes në rast se nevojiten në Turqi”- thuhet në një deklaratë.
Japonia ka dërguar një ekip për të ofruar ndihmë për të prekurit dhe për t’i mbështetur operacionet e kërkimit në Turqi. Ky ekip u nis për në Turqi
Ministria e Punëve të Jashtme e Japonisë tha: “Me kërkesën e Qeverisë së Turqisë dhe pas perspektivës humanitare e marrëdhënieve miqësore të Japonisë me Turqinë, Japonia ka vendosur që t’ia ofrojë këtë asistencë urgjente Turqisë për t’i plotësuar nevojat e saj humanitare”.
Edhe India është solidarizuar me Turqinë. Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Arindam Bagchi, tha se vendi i tij e ka dërguar grumbullin e parë të ekipeve me furnizime mjekësore, qen të trajnuar, makina për shpim dhe pajisje të tjera të nevojshme.
Ndërkohë aeroplanët me ndihma nga Irani dhe Iraku kanë arritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Damaskut në Siri.
Aeroplanët nga Iraku ishin të ngarkuar me rreth 70 tonë ushqim, produkte mjekësore dhe batanije, në mesin e furnizimeve të tjera urgjente, raportoi agjencia shtetërore siriane e lajmeve, SANA. Këto ndihma arritën në orët e para të së martës.
Kryeministri i Irakut, Mohammed Shia al-Sudani, tha të hënën se vendi i tij do të dhurojë një dërgesë me ndihma, furnizime për strehim, ilaçe dhe karburant.
Ndihma nga Irani arriti të hënën. Ministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Hossein Amirabdollahian, tha të hënën se vendi i tij është i gatshëm që të dërgojë ndihma humanitare në zonat e goditura nga tërmeti në Siri.

