Shkon në mbi 5.000 numri i të vdekurve nga tërmeti në Turqi e Siri
(E plotësuar): Nënpresidenti i Turqisë ka thënë se numri i viktimave nga tërmeti në vendin e tij ka shkuar në 3.419. Kështu, duke i përfshirë zonat e kontrolluara nga rebelët dhe nga qeveria në Siri, numri i përgjithshëm i të vdekurve ka shkuar në mbi pesë mijë.
_______
Të paktën 812 persona kanë vdekur në zonat e kontrolluara nga qeveria në Siri pas dy tërmeteve vdekjeprurëse dhe një vargu të dridhjeve të tjera, raportoi të martën agjencia shtetërore e lajmeve, SANA.
Sipas kësaj agjencie, të paktën 1.449 njerëz kanë pësuar lëndime në provincat Aleppo, Latakia, Hama, Idlib dhe Tartous.
Agjencia”Reuters” raporton se numri i viktimave në zonat e kontrolluara nga rebelët në Siri raportohet se ka shkuar në 790 dhe paralajmërohet se ky numër do të rritet në masë dramatike.
Kur numri i të vdekurve nga tërmeti në Turqi tash për tash është 3.381, të dhënat e reja e çojnë në 4.983 numrin e përgjithshëm të viktimave në të dyja vendet.
________
Ka shkuar në 3.381 numri i të vdekurve nga tërmeti i së hënës në Turqi. Në orët e fundit u regjistruan edhe 460 viktima të reja, sipas agjencisë turke të lajmeve, “Anadolu”, e cila e ka cituar Autoritetin për Menaxhimin e Emergjencave.
Ndërkohë në Siri, numri i të vdekurve nga tërmeti ka shkuar në 1.444. Kështu, numri i përgjithshëm i të vdekurve nga tërmeti ka shkuar në 4.825.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se numri i të vdekurve mund të rritet katërfish ose në rreth 20 mijë gjatë ditëve të ardhshme.
Kryetari i Gjysmëhënës së Kuqe, Kerem Kinik, i ka paralajmëruar njerëzit që të mos shkojnë me vetura në zonën e tërmetit për të dhënë ndihma.
“Veturat kanë rënë nga 50 metra nga të çarat në rrugë. Ka borë e akull rrugëve”- tha ai.
Zyrtari u kërkoi njerëzve që ndihmat e tyre t’i dhurojnë në qendrat e Gjysmëhënës së Kuqe, e cila më pas do t’ua japë ato njerëzve në nevojë.
Kjo organizatë bëri thirrje që njerëzit të dhurojnë gjak për t’u dalë në ndihmë personave të lënduar.
OKB-ja ka thënë se të paktën 224 ndërtesa në pjesën veriperëndimore të Sirisë janë shkatërruar dhe të paktën 325 të tjera janë dëmtuar, përfshirë depot e ndihmave në zonën ku ndodhen miliona njerëz të zhvendosur, shumica që tashmë ishin duke jetuar në shtëpi gjysmë të shkatërruara dhe në strehimore të përkohshme.
Drejtori i shërbimit të mbrojtjes civile të opozitës siriane, Raed al-Saleh, tha të martën se nevojitet ndihmë urgjente nga grupet ndërkombëtare për përpjekjet e shpëtimit nga organizata e njohur si “Helmetat e Bardha” në pjesën që kontrollohet nga rebelët, ku qindra njerëz kanë vdekur ose kanë pësuar lëndime.
“Çdo sekondë nënkupton shpëtim të jetës dh ne u bëjmë thirrje të gjitha organizatave humanitare që të dhurojnë ndihma dhe t’i përgjigjen urgjentisht kësaj katastrofe”- tha Al-Saleh.

