Shumë akuza nga brenda ndaj partisë që mëtonte të ishte ndryshe
"Ne jemi ndryshe". "Ne nuk jemi si ata". Ishin këto dy nga parullat më të zëshme të Lëvizjes Vetëvendosje përgjatë rrugëtimit politik opozitar.
Megjithatë, është pak më vështirë t'i menaxhosh këta njerëz nga kolltuku i pushtetit. Dhe kjo u pa në zgjedhjet e fundit lokale, ndërsa u konfirmua në procesin e djeshëm zgjedhor.
Përjashtime nga lista e votuesve, largime nga kandidatura për shkak të pikëpamjeve të tjera e mosafrim të figurave të reja, me qëllim që mos të rritet konkurrenca e brendshme.
Këto ishin disa nga problemet që karakterizuan zgjedhjet e VV-së e që u mbajtën të dielën që sapo lamë pas.
Albin Kurti triumfoi bindshëm me 98.60 për qind të votave, duke lënë këtë 1.4 për qind fare nën hije.
Në lajmërimin e fitores së Kurtit, gjithashtu u bë e ditur se Albulena Haxhiu do ta drejtojë Forumin e Gruas, kurse Behar Jashari atë të Rinisë.
Barazimi
Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes gjithmonë u ka penguar barazimi me partitë të tjera.
Duke mos dashur të vëmë në bilanc nëse janë apo jo të njëjtë në qeverisje, në menaxhim brendapartiak apo përzgjedhje të njerëzve, janë thuajse identikë.
Një nga rastet e para që mori dhenë ditën e djeshme ishte ai i njërit prej aktivistëve më të vjetër, Kenan Trupi.
Anëtari i Vetëvendosjes nga Kaçaniku nuk e gjeti veten në listën e votuesve, duke hedhur kështu akuza në drejtim të partisë.
"Procesi i zgjedhjeve të brendshme në VETËVENDOSJE! në Qendrën e Kaçanikut ka pasur shumë parregullsi, i manipuluar e i shantazhuar skajshmërisht, të ftuar e të njoftuar kanë qenë vetëm ata anëtarë që janë të pëlqyer për koordonatorin (tashmë kandidati për kryetar Qendre, Jeton Raka), kanë bërë "pastrim" të listës së antarësisë, duke fshirë nga lista plot aktivistë e anëtarë që dhanë kontribut në periudha më të vështira të organizatës", shkroi ndër të tjerash ai.

Veç 1/4
Telashe edhe në Prizren. Aktivisti i Vetëvendosjes në Prizren, Fatih Përzhella përmes një postimi në rrjetin social "Facebook" hodhi kritika ndaj krerëve komunalë të VV-së, duke thënë se ata janë nga arsyet pse aktivistët po largohen.
Veç kësaj, ai tha se duke u thirrur nga informatat brenda pikave, vetëm 25% e anëtarësisë së Prizrenit kanë dalë për të votuar.
Por, në një prononcim për Nacionalen, Përzhella tha se aty dihet kush është për interesa personale dhe se do të vijë koha që shumë shpejtë do të largohen.
"Unë do të vazhdoj të jem këtu. Politika nuk është rrugë e shkurtër. Aktivistët e vërtetë e dinë se kush është aty për interesa personale, porse ata do të largohen shpejt", tha ai.
Kujtojmë se kryetar i ri i degës së VV-së në kryeqytetin historik është Artan Abrashi.

