Shtohet kritika ndaj planit franko-gjerman: S`ka marrëveshje finale Kosovë-Serbi, s`ka njohje
Institucionet e Kosovës po insistojnë se drafti i propozuar nga BE-ja për normalizim të raporteve me Serbinë do të jetë marrëveshje finale.
Por, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare po e kontestojnë një gjë të tillë.
Ata kanë bërë me dije se pas qëndrimit të SHBA-së dhe të disa vendeve evropiane se njohja reciproke aktualisht nuk është e mundur, po konfirmohet fakti se kjo marrëveshje do të jetë vetëm e përkohshme.
Profesori universitar Enver Hasani ka thënë se propozimi i BE-së nuk paraqet bazë të mirë për marrëveshje, siç ka deklaruar kryeministri Albin Kurti.
Ai ka treguar se pa njohje reciproke kjo marrëveshje është e përkohshme.
“Është marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe e përkohshme në të njëjtën kohë. Në çfarë kuptimi është gjithëpërfshirëse? Gjithëpërfshirëse është për shkak se dëshiron me i lidh palët për çdo gjë që kanë arritur deri me tani, që në mënyrë reciproke të bëjnë një zotim tjetër me i zbatuar gjithë atë që janë pajtuar prej 2011. E përkohshme është për shkak se kjo marrëveshje e transformon raportin tonë me Serbinë dhe e çon në një nivel tjetër. E ngrin në një stad me një temperaturë tjetër që prapë, përshmebull, pas një dekade të kthehet në rend të ditës çështja e ridizajnimit të raporteve tona. Pra, e bën marrëdhënien tonë me Serbinë një storje që nuk mbaron kurrë”, ka thënë Hasni në emisionin Context të ATV.
Sipas tij, për marrëveshje finale mund të flitet vetëm kur në dokument të përfshihet njohja de jure nga Serbia.
“Ajo baza kryesore që i mungon(propozimit) dhe që e bën bazë jo të mirë është njohja. Derisa njohja të mos jetë reciproke, e plotë, de jure, e pakthyeshme dhe që i përfshin të gjitha marrëdhëniet, atëherë ti je në defanzivë”, ka thënë Hasani.
Njëjtë mendoni edhe profesori tjetër i marrëdhënieve ndërkombëtare Dritëro Arifi.
Sipas tij, nuk mund të këtë marrëveshje finale pa njohje reciproke.
Ai ka bërë me dije se dokumenti që po diskutohet është një gjysmë marrëveshje, e cila synon avancimin e raporteve në mes të dy shteteve.
“Nuk ka marrëveshje finale, këtë e kanë thanë edhe SHBA-të edhe disa shtete të BE-së, kjo nuk është një marrëveshje finale, kjo është vetëm një gjysmë marrëveshje për të ecur tutje por nuk ka dakordim për asgjë, në kuptimin e njohjes reciproke”, ka deklaruar ai për RTV Dukagjinin.
Opozita e shqetësuar
Deklarimi i SHBA-së se aktualisht njohja e Kosovës nga Serbia nuk është i mundur tani, ka shqetësuar partitë opozitare. Ato kanë kërkuar nga qeveria sqarime se pse ka ndodhur kjo.
Më i ashpri ka qenë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili ka fajësuar Qeverinë e Kosovës për qëndrimin e SHBA-së.
Ai ka thënë se politika e theqafjes e ka sjell Kosovën deri në këtë gjendje.
“Ky qëndrim vjen si pasojë e papërgjegjësisë populliste që për politikë turmash jo që s’arriti të përfitojë nga kjo administratë, por pariparueshëm degradojë relacionet në qëndrime që tani dhe normalizojnë mosnjohjen. Dhe kështu, si në asgjë, në momentin më të mirë në dekada për Kosovën, e në momentin më të rëndë për Serbinë e aleatin e saj Rusinë - Qeveria e Kosovës bëri të pabëshmën, regresoj në fundament me partnerë strategjik duke i dhënë një dhuratë të papritshme kundërshtarit tonë historik. Liderët shtetërorë i detyrohen popullit të Kosovës një shpjegim se si arritën - në dy vite të tyre - deri tek ky përfundim. Sepse politika e tyre e theqafjes nuk përbën asnjë shpjegim patriotik”, ka shkruar Abdixhiku në profilin e tij në “Facebook”.
Ai ka tregua për qëndrimin që ShBA-ja e kishte më herët.
“Më 7 shkurt të vitit 2021, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden, nëpërmjet një letre urimi, i kishte kërkuar Presidentit të Serbisë Vuçiq, arrtijen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Kosovën të përqendruar në njohjen e ndërsjellë. Pra njohja e ndërsjellë, respektivisht njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia ishte politikë qendrore e administratës Biden”, ka shkruar Abdixhiku.
Kurse, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka thënë se kryeministri Albin Kurti duhet të tregoi se çka ka ndodhur me procesin.
“Një marrëveshje gjithëpërfshirëse PA njohjen reciproke nuk është as finale e as gjithëpërfshirëse. Kryeministri duhet të na e sqarojë se si qenka katandisur procesi deri në atë pikë sa aleatët tanë po thonë tani që nuk është koha për njohje reciproke? Duhesh me qenë tej mase amater e i padijshëm që në kontekstin gjeopolitik më të favorshëm për Kosovën në 15 vitet e fundit, në vend të marrëveshjes për njohje, të kemi një status quo të re, pa njohje dhe me asociacion. Ja gjenialiteti i Kryeministrit”, ka shkrua Çitaku në profilin e saj në “Facebook”.
SHBA-ja e pranon se tani njohja është e pamundur
Në ditët e para të këtij vitit, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, dha një lajm jo të mirë për fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi.
Diplomati amerikan i ka thënë gazetarit britanik Tim Judah, se aktualisht njohja reciproke nuk është e mundur.
Këtë qëndrim të diplomatit amerikan Judah e ka cekur në një shkrim të gjatë të tij të publikuar me titullin “A do të përfundonjë ndonjëherë lufta e Kosovës?”.
Për këtë shkrim, ai ka intervistuar politikanë, aktivistë dhe diplomatë.
“Ai më tregoi se, përderisa qëllimi i fundëm ishte njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ‘e cila për fat të keq tani nuk është e mundur’, sfidat e sotme ende mund të tejkalohen’”, ka thënë Judah, duke cituar ambasadorin Hovenier.
Kjo është hera e parë që një zyrtar amerikan e pranon se njohja reciproke në këtë proces nuk është e mundur.
Deri më tani, zyrtarët më të lartë amerikanë vazhdimisht kanë kërkuar që njohja e ndërsjellë të jetë pjesë e marrëveshjes finale. Këtë fakt ia kishin bërë të qartë Serbisë edhe presidenti Joe Biden dhe Sekretari i Shtetit Antony Blinken.


