Shtohen zërat për skenarin e frikshëm: Veriun mund ta marrin në dorë "trupat e huaja"
Tensionimi i situatës në veri duket se ka zvogëluar ndikimin e institucioneve të Kosovës në atë pjesë të vendit. Aktivizimi i KFOR-it në sigurimin e ndërtesave të komunave ka bërë që Policia e Kosovës të ketë më pak punë në aspektin e sigurisë. Refuzimi i institucioneve të Kosovës për të shtensionuar në tërësi situatën atje mund të çoi në realizimin e një skenari jo të mirë për institucionet e Kosovës.
Çdo ditë e më tepër po shtohet zërat se bashkësia ndërkombëtare mund ta marrë në tërësi kontrollin në katër komunat veriu dhe t`i përjashtojë nga ajo pjesë institucionet e Kosovës.
Një shqetësim të tillë e ka shprehur edhe ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
Ai ka bërë me dije se veprimet e njëanshme të Qeverisë së Kosovës vetëm sa e kanë cenuar sovranitetin në atë pjesë të vendit.
Mustafa ka shprehur drojën e tij se nëse situata nuk qetësohet, ajo pjesë e vendit mund të merret nën mbikëqyrjen e ndërkombëtarëve.
“Asnjë fije sovraniteti nuk është shtruar, veçse është cenuar sovraniteti dhe veç sa po cenohet edhe më tutje. Kështu qysh po shkojnë gjërat ka frikë që atje të vihet një mbikëqyrje ndërkombëtare në veri të vendit dhe ajo totalisht të del jashtë sovranitetit”, ka thënë Mustafa në emisionin Info-Magazin të Klan Kosovës.
Sipas tij, ndërkombëtarët nuk do të durojnë gjatë gjendjen aktuale.
“Nëse kështu shkon, unë jam i bindur se do të vjen në një situatë sepse ndërkombëtarët nuk kanë vullnet dhe durim që edhe më tutje ta përballojnë këto kapriço apo këto sjellje të papërgjegjshme të z. Kurti, të z. Sevçla dhe të disa aty që çdo ditë e bëjnë nga një veprim të pakoordinuar në veri”, ka thënë Mustafa.
Një skenar të tillë nuk e ka përjashtuar as kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Javën e kaluar, ai ka bërë me dije se me këtë qasje të qeverisë, Kosova mund të humbas sovranitetin në veri të vendit.
“Mund të sjelli pasoja të pallogaritshme në shumë aspekte. Duke filluar nga pasoja e rritjes së numrit të trupave në Kosovë. Që do të thotë ulje e kapacitetit sovran të Kosovës, për shembull. Ose gjë që do të thotë, humbje e Kosovës në aspektin e humbjes së një shansi, një mundësie për të integruar plotësisht veriun në jetën e vet institucionale duke hapur rrugën që veriu të kalojë në kontrollin e trupave të huaja që do të ishte një gjë e tmerrshme.”, ka thënë Rama.
Ai ka vlerësuar së një gjë e tillë nuk do të ishte mirë për Kosovën.
“Nëse trupat e huaja e marrin nën kontroll veriun, kjo çështje mund të kthehet në tavolinë kush e di pas sa vitesh”, ka thënë Rama.
Opozita e shqetësuar
Më shumë se qeveria për këtë skenar janë shprehur të shqetësuar përfaqësuesit opozitar. Sipas tyre nëse një gjë e tillë ndodh, përgjegjësia do të jetë e Qeverisë së Kosovës.
Javën e kaluar, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka alarmuar se bashkësia ndërkombëtare mund ta përjashtojë Kosovën edhe nga prezenca fizike në Veri.
Gjatë një interviste në Pressing të T7, ai ka treguar se një gjë të tillë e ka dëgjuar nga komunikimet diplomatike.
“Dy fjalë e përshkruajnë gjendjen aktuale, shqetësues dhe e paqartë. Prej komunikimit që kam pasur me ndërmjetësuesit nuk ka fare dakoordim mes Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar. Kjo është ana e shqetësimit, sepse tani çështja kalon përtej diskutimeve që mund t’i kemi dialoguese”, ka thënë ai.
Ai ka tregua se në këtë mënyrë Kosova do të përjashtohej nga ajo pjesë.
“Çështja tani kalon në elemente të sigurisë, dhe për siguri nuk është Kosova akter dhe siç ndodh nëpër botë mund të marrin vendime që janë përjashtuese ndaj Kosovës, nuk po flas për përjashtime programeve, por mund të marrin vendime që i japin siguri duke e përjashtuar Kosovën prej prezencën fizike në Veri”, ka thënë Abdixhiku.
As deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, nuk e ka përjashtuar një gjë të tillë.
Ai ka thënë se NATO e ka të drejtën ta bëj një gjë të tillë.
“Çka nëse nesër merr vendim KFOR-i dhe në bazë të fuqisë që ka dhe në bazë vendimit të NATO-s që i mbron kufijtë e Kosovës që të largoj komplet policinë e Kosovës nga veriu dhe ata të stacionohen atu. Kush mund ta ndal? Dhe mund me ardh deri të ajo ditë. Dojnë me luftu me KFOR-n, me NATo-n? More këta janë çmendur. Me besoni që duhet me u frikësua që jemi qytetar të këtushit e me këtë qeveri”, ka thënë Lekaj.
Edhe përfaqësues të ndryshme të NATO-së dhe të institucioneve të sigurisë kanë bërë me dije se nëse situata nuk qetësohet numri i trupave të KFOR-it mund të shtohet në Kosovë.
Deri me tani, askush prej Qeverisë nuk e ka komentuar mundësinë e këtij skenari.

