Kurtin e pyesin në forum për “kushtin” e lirimit të tre policëve: S’iu thotë “mos e përfaqësoni Serbinë” - NACIONALE

Kurtin e pyesin në forum për “kushtin” e lirimit të tre policëve: S’iu thotë “mos e përfaqësoni Serbinë”

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një prej reagimeve të para të kryeministrit Albin Kurti për arrestimin e tre policëve të Kosovës nga policia e Serbisë, ishte se kjo ka ndodhur si hakmarrje për arrestimin e kriminelit të njohur me nofkën “Llune”. Dhe natyrisht, kjo ngriti pikëpyetje për ndonjë kërkesë të mundshme shkëmbimi. Për këtë, shefi i Qeverisë u pyet në Kosovë, por u pyet edhe sot në një forum ku mori pjesë. Reagimet e tij – krejtësisht të ndryshme.

Tre zyrtarëve policorë të cilët u rrëmbyen nga Policia e Serbisë, u është vendosur sot masa e paraburgimit. Deri më tani, detajet që dihen janë shumë të vogla, derisa faktori ndërkombëtar ka kërkuar lirimin e tyre.

Kryeministri Kurti po ashtu, është deklaruar disa herë në lidhje me këtë çështje.

Çka tha në Kosovë?

Gazetarja e Nacionales, Besarta Hoti në një konferencë për media, e pyeti kryeministrin Kurti në lidhje me kërkesën e mundshme për një shkëmbim të tre policëve me kriminelin Llune.

Reagimi i tij ishte skandaloz, dhe fjalët me të cilat iu drejtua gazetares po ashtu ishin skandaloze, duke lënë i lënë të kuptohet se po deklaronte “mos ejani me pyetje të Beogradit.

“Shkëmbimin natyrisht se do të mund ta kërkonte Beogradi, por ju lutëm mos e përfaqësoni atë. Nuk keni nevojë të paraqitni një kërkesë të Beogradit, karshi Republikës së Kosovës. Për çfarë shkëmbimi jeni duke folur, kush e ka kërkuar atë.” – u shpreh ai.

Ky reagim i kryeministrit, nxiti edhe reagime të eksponentëve të partisë së tij e analistë që e përkrahin, të cilët hodhën akuza e ofendime në drejtim të Nacionales.

Në Forumin e Prespës, reagon më ndryshe

Nuk do të kalonin shumë ditë, kur kryeministri Kurti do të pyetej edhe një herë për çështjen e njëjtë.

Pyetja e një gazetari sot, derisa kryeministri po merr pjesë në Forumin e Prespës, ishte kjo: “A ekziston një kusht që të lirohen kriminelët? Sa është i sigurtë sovraniteti i Kosovës, kur policët rrëmbehen brenda kufinjve, a ishte ky rrëmbim me kusht që të mund të lirohet krimineli që u arrestua ditë më parë.”

Gazetarit që ia shtroi pyetjen, kryeministri s’i tha “mos ejani me kërkesë të Beogradit”. Kështu, qëndrimi i tij ishte më i butë.

“Nuk mund të ekzistojë dilema, ne nuk mund, në asnjë kohë, ta vëmë në një kategori kriminelë që u burgosën në Kosovë, si Llune, dhe policë kosovarë. Ne jemi shumë të vendosur në këtë, mendoj që kjo ishte shumë e qartësuar nga Departamenti i Shtetit.” – deklaroi ai.

Për fund, vlen të theksohet se përderisa ShBA-ja e Britania e Madhe kërkuan lirimin e menjëhershëm të tre policëve, KFOR-i në anën tjetër, ka thënë se mbesin ende të paqarta rrethanat e këtij rasti.

"Pas arrestimit të tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës, më 14 qershor, misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja, ka rishikuar vendndodhjen e ngjarjes dhe ka folur me përfaqësues të institucioneve në Kosovë dhe me autoritetet serbe. Bazuar në të dhënat e disponueshme, mbetet e paqartë se ku kanë qenë zyrtarët e Policisë së Kosovës në momentin e arrestimit.” – thuhej në komunikatën e KFOR-it për media.

Lajme të ngjashme