“Shtesat e rrezikshmërisë”: PDK propozon rezolutë për përkrahjen e Policisë, VV-ja abstenon - NACIONALE

“Shtesat e rrezikshmërisë”: PDK propozon rezolutë për përkrahjen e Policisë, VV-ja abstenon

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Në seancën e sotme, Abelard Tahiri, kryetar i Grupit Parlamentar të PDK-së, ka propozuar një rezolutë për plotësimin dhe ndryshimin e rendit të ditës së seancnë.

Në fjalën e tij, Tahiri ka theksuar se me ndryshimin e rendit të ditës, do të shkohej në votimin e një rezolutë me tri pika, e cila parasheh përkrahjen e policisë së Kosovës, përfshirë ndarjen e mjeteve për shtesat e rrezikshmërisë.

“Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, ju propozoj që ta plotësojmë ndryshojmë rendin e ditës së kësaj seance. Ashtu siç ishim unikë para një jave, të jemi unik që pjesë e rendit të ditës së kësaj seance të jetë një rezolutë me të cilën do ta mbështesim Policinë e Republikës së Kosovës. Kjo Rezolutë përmbanë tri pika jashtëzakonisht të rëndësishme përmes të cilave Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria hyjnë në një agjendë mbështetëse për Policinë e Kosovës. Me anë të kësaj rezolute, ne propozojmë që 15 ditë nga miratimi i saj të ndahen mjetet për shtesat e rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës. Po ashtu, brenda 60 ditëve të miratohet Projektligji për pensionim të parakohshëm të zyrtarëve policorë, kurse nga 1 janari 2024 të mbulohet pagesa e sigurimit shëndetësor për zyrtarët policorë.” - deklaroi Tahiri.

Mirëpo, këtë propozim të PDK-së e ka kundështuar kryetarja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari Lila, ndërsa gjatë votimit, VV-ja ka abstenuar.

Nga 93 deputetë, 53 prej tyre kanë abstenuar, ndërsa vetëm 36 deputetë kanë votuar për.

Në rezolutën e PDK-së, theksohej mbështetja për Policinë, si pensionim të parakohshëm, pagesat e rrezikshmërisë dhe sigurim shëndetësor.

Votimin e pushtetit e kritikoi deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.

“Shumica parlamentare VV-së votoj kundër diskutimit për shtesat, rrezikshmërinë dhe pagat dhe pensionimin e parakohshëm të Policisë së Kosovës, ndërkohë që punën e shkelqyeshme të tyre po provojnë ta përvetsojnë me çdo kusht. Pushteti i VV-së është, pushtet i propagandës dhe zhurmës në rrjete sociale, asesi i veprave për t’i dalur në ndihmë policisë së Kosovës”, ka shkruar Zemaj.

Sindikata e Policisë së Kosovës ka dorëzuar peticion me mbi 5 mijë nënshkrime nga policët. Peticioni i është dërguar Komisionit për të Drejtat e Njeriut.

Aty, Policia ka adresuar 10 kërkesa konkrete për përmirësimin e kushteve të punës.

10 kërkesat kryesore janë: Ligji i Pagave, shtesa për rrezikshmëri në punë, shtesa për punë të veçantë, klasifikim në koeficient për stafin civil, shujta mujore, shpërblimi për fundvit për performancë të mirë, tre paga përcjellëse për të pensionuarit, zbritja e përvojës së punës nga 0.5 në 0.25 për 15 vitet e para, sigurim shëndetësore dhe jetësor, ligji për pensionimin në Policinë e Kosovës.

Anëtarja e Komisionit Hetimor për të Drejta të Njeriut, Ariana Musliu-Shoshi, ka njoftuar se kanë pranuar një peticion nga Sindikata e Policisë së Kosovës, nëpërmjet të cilit kërkohet përmirësim i kushteve të punës.

“Duke pasur parasysh kushtet dhe ambientin e punës, Policia e Kosovës është ndër institucionet me rrezikshmërinë më të lartë në shoqëri si nga aspekti i shëndetit ashtu edhe nga aspekti i rrezikut për jetë. Policia e Kosovës gjatë kryerjes së detyrave dhe autorizimeve policore përballet me rreziqe të drejtpërdrejta për jetën dhe shëndetin si dhe situata stresuese gjatë ushtrimit të veprimtarisë policore. Zyrtarët policor kanë autorizim të përdorimit të mjeteve dhe pajisjeve të rrezikshme gjithashtu për jetën dhe shëndetin, i ekspozohen rrezikut në mënyrë permanente dhe të befasishme”, thuhet në letër.

“Situata të tilla paraqiten në baza ditore rastet si: gjatë përgjigjes në thirrjet e qytetarëve për ndihmë dhe ofrim të shërbimeve; kontrolli dhe sigurimi i kufirit shtetëror; intervenimit dhe reagimit në rastet e krimeve dhe incidenteve të ndryshme; fatkeqësive natyrore; aksidenteve në trafik; ballafaqimi me trazira dhe prishje të rendit dhe sigurisë publike në përmasa të mëdha; arrestimin dhe transportin e personave me rrezikshmëri; zbatimin e masave të fshehta të hetimit dhe vëzhgimit; luftimi i krimit përfshirë por pa u kufizuar vetëm në krimin e organizuar, terrorizmin, narkotikë, kontrabandës me armë dhe mallra, trafikimin me qenie njerëzore; kërkimi dhe arrestimi i personave të arratisur; gjurmimi dhe zbulimi i materive helmuese dhe eksplozive por edhe trajtimi i materieve të tilla; shpëtimi i pengjeve; rastet e kidnapimit; goditja e grupeve kriminale të organizuara; kërcënimeve me armë dhe materie tjera eksplozive; bazuar në dispozitat ligjore zyrtari policorë, në të gjitha rrethanat, kur e takon një incident në progres ka obligim ligjor 24/7 orë të ndërhyjë dhe t'a menaxhoj incidentin pavarësisht nivelit të rrezikut për jetën e tij, etj”, theksohet më tutje.

“Për të ilustruar më detajisht specifikat e dhe rrezikshmërinë në punë, flasin të dhënat tona se deri me tani në kryerje të detyrës kanë humbur jetën 23 zyrtarë policor, kanë vdekur në detyrë 322 zyrtarë, 4753 rate të lëndimeve të zyrtarëve policor në kryerjen e detyrave zyrtare, 319 zyrtarë të sëmurë në detyrë, aktualisht me sëmundje të veçanta shëndetësore janë 528 zyrtarë. Deri tani kemi 2285 pjesëtarë të policisë të cilët kanë dhënë dorëheqje vullnetare nga Policia”, thuhet në letër.

Lajme të ngjashme