SHTATË DITË: RTK-ja ende pa asnjë masë për 'lajmin' skandaloz kundër Nacionales
Janë bërë shtatë ditë prej mbledhjes së Bordit të RTK-së, kur këta të fundit ishin zotuar se do të merren masa ndaj atyre që publikuan lajmin ku Nacionale e Periskopi etiketoheshin si media të financuara nga Beogradi.
Që nga ajo kohë, ka pasur distancime, reagime vendore e ndërkombëtare, megjithatë masa ende nuk ka.
Madje, drejtori i TV në RTK, militanti Rilind Gërvalla, po e mbron fuqishëm raportimin. Kjo duke mos hezituar të jap epitete se “duhet të dihet kush financohet nga Serbia”.
“U.d drejtoresha ka informuar bordin që do të formojë një komision profesional për ta sqaruar situatën në detaje dhe për ta ndriçuar përgjegjësinë editoriale për këtë lëshim dhe do të merr masa rigoroze konform ligjit dhe akteve të brendshme të RTK-së”– thuhej në komunikatën e Bordit të RTK-së.
Përkundër që kanë kaluar gjashtë ditë, RTK-ja nuk ka arritur të adresojë çështjen e përgjegjësisë brenda RTK-së për një publikim të tillë, i cili u quajt “artikull kontraverz” nga ana e Bordit.
Megjithatë, reagimet nuk janë ndalur brenda RTK-së e jashtë RTK-së. Ushtruesja e detyrës së kryeredaktores në Radiotelevizionin e Kosovës, Leonora Bërbatovci u lajmërua para pak ditësh me një shkrim pas shumë reagimeve, megjithatë, nuk e tha asnjë fjalë për “fake-neësin” e lëshuar nga transmetuesi publik.
“Në sy u pamë edhe mëngjesin e së hënës. Por prej mesditës nuk u pamë më. Madje as s'u dëgjuam e lëre më që s'u shkruam fare. Të shkruara i pashë vetëm distancimet. Disa i lexova e disa të tjerë i pashë vetëm si "folloëers" të nismëtarëve” – shkroi ajo.
Bërbatovcit i reagoi një kolege e saj e RTK-së. Pranvera Munishi, redaktore në RTK, i reagoi Bërbatovcit për ftesën për debat.
“Duke te njohur mire, thelle jam e bindur qe je e vetedijshme per shkeljen profesionale qe eshte bere ate nate, prandaj une jam distancuar, pasi qe me dhjetra here si pergjegjese editoriale kam refuzuar te identifikohem me lajme te cilat i ka gatuar politika.” – ka shkruar ajo.
Pas publikimit të lajmit skandaloz, RTK-ja është kritikuar me të madhe nga organizata të huaja e vendore, nga gazetarë e analistë të cilët thonë se RTK-ja është e kapur nga pushtetit.
Organizatat joqeveritare dhe aktivistët kanë kërkuar dorëheqjen e Bordit të RTK-së pas raportimit skandaloz për mungesë të pavarësisë dhe profesionalizmit në ushtrimin e mandatit të tyre.
“Radio Televizioni i Kosovës (RTK) ka ri publikuar një informacion dezinformues me qëllim që të sulmojë mediat online Nacionale dhe Persikopi nën pretendimin që kontrollohen nga Serbia. Kjo narrativë e ushqyer ndër vite nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje ka për qëllim denigrimin e gazetarëve dhe cytjen e qytetarëve kundër tyre, gjë që përbën rrezik për sigurinë e tyre.” – thuhej në reagimin e tyre.
Gjithashtu, edhe organizata ndërkombëtare “Safe Journalist” ka reaguar ashpër pas sulmeve nga pushteti ndaj Nacionale dhe Periskopit.
“Rrjeti SafeJournalists dënon ashpër fushatën e shpifjeve të nisur nga Lëvizja Vetëvendosje, si dhe shpërndarjen e “lajmeve” të tilla që sulmojnë mediat tjera në Transmetuesin Publik të Kosovës RTK. I bëjmë thirrje kryeministrit Kurti që të dënojë këtë fushatë shpifëse dhe të distancohet nga këto akuza të pabaza. Për më tepër, ne inkurajojmë mediat e prekura që të ndjekin veprime ligjore kundër atyre që janë përgjegjës për ngritjen e akuzave të tilla të rënda, duke përfshirë burimet kryesore që qëndrojnë pas tyre” – thuhej në reagimin e tyre.
PDK-ja ka bërë të ditur se do të iniciojë mocion për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të RTK-së.
Mbetet të shihet nëse do të ketë ndonjë masë ndaj atyre që publikuan lajmin.
Si pasojë e situatës, U.D Drejtoresha, Zana Spahiu, dha dorëheqje.
Nacionale është në pritje të procesverbalit të mbledhjes, pasi Bordi është zotuar se do ta dërgojë tek mediat sapo të jetë gati.
Jozyrtarisht është raportuar se në Komisionin e krijuar po hezitojnë zyrtarët të marrin pjesë, megjithatë Bordi ka theksuar se nuk ndërhyn pasi mund të cilësohet interferim.
Nacionale tashmë ka dorëzuar ankesë në Komisionin e Pavarur të Mediave dhe Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës. Gjithashtu ka autorizuar avokatë për të ndërmarrë të gjitha veprimet e tjera ligjore për këtë rast.