“Shqiptarët e Luginës po bëhen një popull pa shtetësi dhe atdhe”: Kosova dhe BE-ja s`po bëjnë asgjë - NACIONALE

“Shqiptarët e Luginës po bëhen një popull pa shtetësi dhe atdhe”: Kosova dhe BE-ja s`po bëjnë asgjë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shqiptarët e Luginës së Preshevës dje kanë protestuar kundër shkeljes së të drejtave të tyre elementare nga pushteti serb. Protesta popullore “Për identitet e dinjitet”, e cila është mbajtur në Bujanoc, ka nxitur reagime edhe në Kosovë. Duke u përballur vazhdimisht me fshirjen e adresave nga autoritet serbe, ata po bëhen një popull pa shtetësi dhe pa atdhe.

Zyrtarë të opozitës dhe njohës të rrethanave politike në vend kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës dhe bashkësinë ndërkombëtare se nuk po bëjnë asgjë për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginë.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka vlerësuar se Serbia ndaj shqiptarëve të Luginës po zbaton politikat e Millosheviqit.

Në profilin e tij në “Facebok”, ai ka shkruar se ata po jetojnë në kushte të aparteidit.

Politika e regjimit të Millosheviqit që po zbatohet ende sot në Luginë të Preshevës, i trajton shqiptarët si armiq, duke i bërë ata më të diskriminuarit dhe të rrezikuarit në Evropë. Ata, mbijetojnë sot fizikisht brenda një sistemi të aparteidit politik, pa qasje në vende pune në sektorin publik dhe pa libra në gjuhën shqipe. Ata, çdo ditë po bëhen një popull pa shtetësi dhe pa atdhe, sepse Serbia po fshinë dhe çregjistron çdo adresë të tyre të vendbanimeve autoktone!”, ka shkruar Hoxhaj, duke kritikuar Kosovën dhe BE-në që nuk po bëjnë asgjë.

As Bashkimi Evropian apo ndonjë institucion tjetër ndërkombëtar nuk ka ndërrmarrë asgjë për t'i thënë stop kësaj gjendjeje! Një Qeveri e Kosovës që i ka dyert e mbyllura kudo, nën sanksione dhe e izoluar, është pa kredibilitet që t'i ndihmojë vetes, jo më vëllezërve të tyre! Ajo është pa veprim stategjik dhe nuk ka pozicion që ta bindë ndonjë kryeqytet perëndimor që këtë gjendje në Luginë ta ndalojë e ndryshojë, duke i lënë shqiptarët atje të dorëzuar në fatin e tyre dhe pa kurrfarë mbështetje në regjimin e vjetër dhe të ri në Serbi!”, ka shkruar Hoxhaj.

Edhe Uk Lushi, njohës i rrethanave politike në vend, ka kritikuar Kosovën dhe BE-së për gjendjen e shqiptareve të Luginës.

Ai ka vlerësuar se Kosova dhe evropianët nuk po bëjnë asgjë për të drejtat e shqiptarëve të asaj pjese.

Paramendojeni situatën shtypëse për 200 000 shqiptarë në Serbi dhe Luginë të Preshevës për 20 sekonda të jetës suaj: shekulli 21 dhe ata nuk kanë libra shqip dhe nuk guxojnë të realizojnë identitetin nacional shqiptar. Nuk kemi bërë gati asgjë për ta. NE dhe as EUROPIANËT. Shqiptarët e Luginës duhet të jenë brejtje e ndërgjegjeve të shqiptarëve dhe Europës në shekullin 21!”, ka shkruar Lushi.

Reagimin e BE-së për gjendjen e shqiptarëve e ka kërkuar edhe deputeti i vetëm shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Në fjalimin e tij të mbajtur në protestën e djeshme, ai ka deklaruar se veprimet e Serbisë janë në kundërshtim me vlerat evropiane.

Meqë jemi duke jetuar në një shtet që, së paku formalisht, është në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, që do të nënkuptonte se këto vlera të BE-së janë standard edhe për Serbinë, shtrohet pyeja Pse atëherë ne jemi tubuar këtu? Pse protstojmë? Pse shtrojmë kërkesat tona edhe këtu në sheshin Skenderbej të Bujanocit, (të cilin qeveria në Beograd nuk na ka zyrtarizuar)?”, ka thënë ai, duke treguar arsyet e kësaj proteste.

“Jemi këtu sepse qeveria qendrore në Beograd, po refuzon të respektojë të drejtat tona, po refuzon të na integrojë në organet shtetërore në mënyrë të drejtë e të barabartë, sepse nuk na njeh diplomat, po na pasivizon, po na diskriminon, po na ngushton hapësirën elementare për jetë normale, po refuzon të respektojë tre marrëveshjet e nënshkruara me përfaqësuesit shqiptar e të ndërmjetësuara nga ndrkombëtarët, sepse qeveria në Beograd, këtu në Luginë të Preshevës, po shkelë rëndë vlerat më elementare të Bashkimit Evropian: paqen, demokracinë, të drejtat e njeriut, të drejat e pakicave, drejtësinë, barazinë para ligjit, sundimin e të drejtës”, ka thënë Kamberi.

Ndërsa, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka vazhduar vetëm mbështetjen deklerative për shqiptarët e asaj pjese.

Pas mbajtjes se protestës, në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se shqiptarët e Luginës së Preshevës vijojnë të përballen me një situatë të diskriminimit sistematik.

Kërkesat e tyre për "respektimin e marrëveshjeve politike, ndalimin e pasivizimit të adresave, njohjen e diplomave të Kosovës dhe përfshirjen e drejtë në institucionet shtetërore" janë plotësisht legjitime dhe të drejta. Qeveria e Republikës së Kosovës mbështet bashkëkombasit tanë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë si dhe mbetet e angazhuar për të ngritur këto çështje në nivelet më të larta ndërkombëtare dhe të kërkojë përkrahje për t'i dhënë fund diskriminimit të padrejtë”, ka shkruar Bislimi.

Lajme të ngjashme