Shqipëria e Madhe: Vizita e Kurtit i fut në telashe Kasamin e Ganiun, për çka po akuzohen nga shteti maqedon? - NACIONALE

Shqipëria e Madhe: Vizita e Kurtit i fut në telashe Kasamin e Ganiun, për çka po akuzohen nga shteti maqedon?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Vizita e kryeministrit Albin Kurti në Maqedoni të Veriut po vazhdon të ngjallë shumë reagime. Përveç kritikave publike nga krerët institucionalë, tash shteti maqedon është vënë në lëvizje ndaj nikoqirëve të Kurtit. Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoni të Veriut ka informuar se ka hapur një rast kundër Bilall Kasamit, kryetar i Tetovës, dhe Visar Ganiu, kryetar i Çairit. Por për çka po akuzohen këta dy politikanë shqiptarë?

Sipas MPB-së maqedonase, gjatë manifestimeve të organizuara nuk është respektuar ligji për simbole. Tutje, njoftohet se nuk është kënduar himni shtetëror dhe nuk është vendosur flamuri shtetëror i Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Gjatë vizitës zyrtare të delegacionit të Kosovës në Maqedoninë e Veriut, të udhëhequr nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në pritjen e organizuar më 11.08.2023, në rrugën 'Ferid Murati' në Shkup dhe në sheshin e qytetit në Tetovë, nuk është vepruar në përputhje me Ligjin për përdorimin e stemës, flamurit dhe himnit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Gjatë manifestimeve të organizuara me atë rast nuk është kënduar himni shtetëror dhe nuk është vendosur flamuri shtetëror i Republikës së Maqedonisë së Veriut, me çka është bërë shkelje nga neni 30 i të njëjtit ligj”, - thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Shkup, transmeton REL.

“Policia do t’i vazhdojë kërkimet për personin që në një nga manifestimet valëviti flamurin e të ashtuquajturës ‘Shqipëria e Madhe’.” – thuhet tutje.

Kasami i ka akuzuar dy politikanë shqiptarë në lidhje me këtë çështje, duke theksuar se ky është një tëntim për të frikësuar e heshtur politikanët opozitarë.

“Komunizmi këtu nuk ka vdekur, ai është gjallë dhe po e mbajnë gjallë qeveritarët tanë bashkë me Ali Ahmetin e [Arben] Taravarin. Tentimet e këtilla për frikësim dhe heshtje si në kohën e komunizmit, nuk na trembin aspak, bile kokën lartë po vazhdojmë. Aq më pak na trembin kur këto shantazhe e tentime për të penguar opozitën e bashkuar, vijnë nga pushtetarët e korruptuar dhe të shantazhuar që tani më ditët e tyre po i numërojnë në gishta. Koha e frikësimit të shqiptarëve, arrestimeve të tyre dhe marrjes së tyre nëpër stacione famëkeqe policore ka vdekur”, shkroi Kasami në një postimi në Facebook.

Ndërsa Ganiu, që u ftua pas mesditës në stacionin policor në Bit Pazar, po përballet me dy kallëzime penale.

“Pas daljes nga biseda në polici Ganiu tha ndaj tij janë ngritur dy kallëzime kundërvajtëse: Njëra për mos-intonimin e himnit shtetëror dhe mos vendosjen e flamurit të Maqedonisë. Ganiu tha se kallëzimet janë të ndikuara politikisht. Një thirrje të ngjashme mori edhe kreu i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, i cili nuk u paraqit në polici, por siç mëson Alsat inspektorët kanë përgatitur procesverbalet përkatëse. Një ditë më parë Ganiu dhe Kasami thanë se gjithçka rreth organizimit të pritjes së kryeministrit të Kosovës ishte ligjore.”raporton Alsat.

Ndryshe, në lidhje me këtë temë është deklaruar mbrëmë e sot edhe Qeveria e Kosovës, ndërsa opozita kosovare e ka akuzuar Kurtin për lëndim të marrëdhënieve ndër-shtetërore me Maqedoninë e Veriut.

Lajme të ngjashme