Shqipëria e Kosova nën sulme kibernetike: Çka duhet të dimë?
Mund të jetë rastësi, por Shqipëria dhe Kosova – dy shtetet me shumicë shqiptare – po përballen me sulme kibernetike gjatë këtyre ditëve. Çka po ndodh saktësisht?
Është tashmë e konfirmuar – madje edhe nga NATO – se prapa sulmit kibernetik ndaj Shqipërisë qëndron Republika Islamike e Iranit. Aleanca Veri-Atlantike ushtarake dënoi fuqishëm sulmin, duke treguar edhe diçka sa i përket qëllimit të tij:
Shqipëria mori masa të ashpra diplomatike pas këtij sulmi duke dëbuar diplomatët iranianë nga Ambasada e tyre në Tiranë, duke shenjuar kësisoji rastin e parë në histori të ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike shtetërore për shkak të sulmeve kibernetike. Kryeministri shqiptar Edi Rama kishte akuzuar iranin për “agresion shtetëror” ndaj Shqipërisë.
Pse bash Shqipëria?
Republika e Shqipërisë besohet të jetë shënjestruar për shkak se strehon rreth tre mijë anëtarë të organizatës MEK, që konsiderohet si terroriste nga ana e Iranit. Strehimi i tyre në Shqipëri ishte kërkuar nga aleati i madh Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pjesëtarë të këtij grupi, madje ishin vizituar edhe nga zyrtarë shumë të lartë amerikanë si ish Sekretari i Shtetit Mike Pompeo dhe ish Zëvendës-Presidenti amerikan Mike Pence.
Por, ndëshkimi i Shqipërisë duke qenë i paprecedent rrezikon të eskalojë edhe më shumë raportet e tensionuara me Iranin. Sidoqoftë, për hapin e ndërmarr Shqipërinë e përkrahu dhe madje edhe e lavdëroi Departamenti amerikan i Shtetit.
Në një veprim tjetër që efektivisht rriti miqësinë ShBA-Shqipëri, administrata amerikane bëri me dije se do të vendoste sanksione ndaj Iranit për sulmin ndaj Shqipërisë.
Por, kjo nuk kaloi pa kundër-veprim nga ana e Iranit që sulmoi përsëri Shqipërinë gjatë ditës së sotme. Ata së fundi sulmuan sistemin që rregullon hyrje-daljet në Republikën e Shqipërisë, duke krijuar telashe serioze në kontrollin kufitar të vendit.
Sa të rrezikshme janë sulmet e Iranit?
Fuqia në botën kibernetike nuk është simetrike si në botën reale. Fuqi jo të mëdha ushtarake mund të kryejnë sulme të rënda, dhe shembujt për një gjë të tillë nuk mungojnë. Sipas faqeve të internetit të specializuara për luftën kibernetike, Irani sot është i aftë që të kryejë sulmet më të sofistikuara dhe të kushtueshme në histori të epokës së internetit.
Irani ka kryer sulme të ashpra edhe në të kaluarën, siç ishte rasti i gushtit 2014 kur kishte sulmuar një numër sulmesh kibernetike ndaj infrastrukturës iraniane në internet.
Më 31 mars 2015, për 12 orë gjysma e Turqisë kishte mbetur pa rrymë (përfshirë Stambollin dhe Ankaranë) dhe sipas faqes Observer.com, hakerët iranianë kishin qenë prapa kësaj të bëme.
Në qershorin e 2017-s, ishte sulmuar Parlamenti Britanik dhe ishin komprometuar rreth 90 emaile të deputetëve të parlamentit.
Ndërkohë, sulmet janë rritur prej asaj kohe derisa në vitin 2022 ka pasur dy sulme të mëdha kibernetike ndaj Izraelit para se të ndodhte sulmi ndaj Shqipërisë.
Po Kosova?
Kosova raportohet të jetë një rast i ndarë nga ai i Iranit.
Sulmet kanë përfshirë madje edhe faqen e gazetës Nacionale – dhe disa medieve tjera – por po ashtu edhe faqe të Qeverisë, ministrive, policisë e gjykatave.
Qeveria e Kosovës është mjaftuar me një shpjegim të shkurtër: “po përballemi me sulm kibernetik.”
Deri tash, disa grupe islamiste kanë marrë përgjegjësinë për sulmet në Kosovë por nuk ka asnjë shpjegim qeveritar.

