Shpifje, tendencioze, të pabaza: Çka tha Peci për “KB Krushën” që u demantua sot? - NACIONALE

Shpifje, tendencioze, të pabaza: Çka tha Peci për “KB Krushën” që u demantua sot?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Biznesi “KB Krusha” në krye me Fahrije Hotin kanë paralajmëruar konferencë për media për të hënën në orën 11:00, kjo pas deklaratave të ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, për të cilat, thonë se janë të pabaza dhe tendencioze.

E gjithë kjo situatë nisi me pubikimin e granteve qindra-mijëra eurove që i janë dhënë nga kjo ministri familjarëve të deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli.

Në anën tjetër, bëhej me dije se “KB Krushës” u ishte refuzuar kërkesa për grant. Pak ditë më vonë, ministri Peci do të dilte me një postim në rrjetin social Facebook.

Aty, ai deklaronte se në vitin 2017, kur ministria e Bujqësisë udhëhiqej nga Memli Krasniqi, kishte paditur znj. Fahrie Hoti, dhe i kishte kërkuar asaj kthimin e 17 mijë e 800 eurove të fituara si grant.

“Tash a Kushës a Krushës me jau kthy cent m'cent?

A e dini që në vitin 2017 Ministria e Bujqësisë e ka paditur znj. Fahrie Hoti përkatësisht Kooperativën Bujqësore "KRUSHA" dhe i ka kërkuar kthimin e 17,800 eurove që i kishin fituar si grant? Tash e dini. Media kemi pasur edhe në vitin 2017. Por në lajme nuk e kemi parë asnjëherë. Për rikujtim në vitin 2017, qeverisnin bashkë LDK dhe PDK. Kryeministër ishte Isa Mustafa (LDK). Ministër i Bujqësisë ishte Memli Krasniqi (PDK).” – deklaronte ai tutje.

Peci, i cili është nervozuar shumë me zbulimin e granteve të dhëna për famijarë të deputetes Pacolli, që kapin vlerën e 200 mijë eurove, paralajmëronte edhe veprime të tjera.

“Kurse nesër do t'iu tregoj se si Grave të Krushës u janë refuzuar grantet edhe nga qeveria Haradinaj”.

“KB Krusha” e demanton, i quan shpifje deklaratat e ministrit

Qysh në fillim të njoftimit të publikuar të shtunën, “KB Krusha” demanton deklaratat e ministrit Peci dhe i quan shpifje ato.

Ky biznes, ka përmendur shifrën prej 17 mijë e 800 eurove, për të cilën ai pretendoi se janë detyruar nga ministri Krasniqi që ta kthejnë.

Këto deklarata, janë quajtur “të pabaza dhe tendencioze”.

“Duke marrë parasysh se kohëve të fundit, përmes rrjeteve sociale dhe faqes zyrtare të Facebook-ut të Ministrit të Bujqësisë, z. Faton Peci, po qarkullojnë deklarata dhe informacione të pabaza dhe tendencioze, me pretendimin se znj. Fahrije Hoti është paditur nga Ministria e Bujqësisë në vitin 2017 për kthimin e një shume prej 17,800 eurosh, ne ndjejmë të nevojshme të reagojmë.

Gjithashtu, kemi vërejtur një përpjekje për të politizuar këtë situatë, duke e lidhur atë me ngjyrime partiake, çka është e papranueshme dhe e pavërtetë.” – thuhet në reagim.

Në fund, janë bërë me dije edhe detajet e konferencës për media:

“• Data: 25.11.2024

• Ora: 11:00

• Lokacioni: Sallën e konferencave të “KB KRUSHA”

Lajme të ngjashme