“Shpifje”, Haxhiu i reagon ShSKUK-së: Skandalet nuk mund t’i fshihni prapa reagimeve qesharake
Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar i Kosovës ka thënë se janë shpifje deklarimet e deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu ku ka kërkua nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia që të përgjigjet për 12 milionë eurot nga Bordi i ShSKUK-së, që dyshohet se janë keqpërdorur.
Pas deklaratës së ShSKUK-së ka reaguar Haxhiu, ku ka thënë se deklaratat e tyre janë qesharake, të papërgjegjshme dhe kundërthënëse.
“Bordi i ShSKUK-së me deklaratë qesharake, të papërgjegjshme dhe kundërthënëse nuk mund të ikë nga përgjegjësia për 17 shkeljet që i ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit - ZKA.” – ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Ai tutje ka sqaruar se si Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar keqmenaxhimin dhe keqpërdorimin në vlerë mbi 12 milionë euro nga Bordi i ShSKUK-së.
“Raport i Zyrës Kombëtare te Auditimit për ShSKUK për vitin 2021, ka evidentuar keqmenaxhim e keqpërdorime në vlerë mbi 12 milion euro dhe Bordi i ShSKUK-së nuk mund të i ikë përgjegjësi si organi më i lartë vendim-marrës i SHSKUK për dëmin që ia ka shkaktu këtij institucioni dhe buxhetit të Kosovës. Unë disa herë kam kërkuar nga Qeveria e Kosovës shkarkimin e Bordit të SHSKUK për shkak të raportit të ZKA dhe skandaleve të njëpasnjëshme në këtë institucion, por në vend se Bordi i SHSKUK-së të vihet para përgjegjësisë, Qeveria ka vendosur t’i merr në mbrojtje abuzuesit e parasë publike dhe t’i shpërblej disa nga anëtarët e Bordit me pozita të reja në sistemin shëndetësor.” – ka shkruar Haxhiu.
Deputeti i PDK-së ka thënë se skandalet në shëndetësi Bordi i ShSKUK-së me Ministrinë e Shëndetësisë nuk mund të fshihen parapa reagimeve qesharake.
“Për të gjitha keqpërdorimet, keqmenaxhimin dhe skandalet në shëndetësi Bordi i ShSKUK-së bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë nuk mund të fshihen prapa reagimeve qesharake të cilat vetë i demantojnë brenda një fjalie, ku edhe shpërfaqin paditurin te tyre.” – ka shkruar Haxhiu ndër të tjera.
