Shpërthimi në kanalin e Ibër Lepencit, presidentja Osmani anulon vizitën në Brunei
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka anuluar vizitën zyrtare në Brunei.
Presidenca ka bërë me dije se anulimi i kësaj vizite është bërë për shkak të zhvillimeve të fundit në veri.
Në njoftimin për media është thënë se vizita në fjalë do të realizohet në një të ardhme të afërt.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pas sulmeve terroriste në infrastrukturën jetike të Republikës së Kosovës, ka anuluar vizitën shtetërore në Brunei. Presidentja ishte paraparë të udhëtonte sot në mëngjes për Brunei. Në një bisedë telefonike të zhvilluar sot, Presidentja Osmani e ka njoftuar Madhërinë e Tij Sulltan Haxhi Hassanal Bolkiah, me zhvillimet aktuale të sigurisë në vend dhe janë dakorduar që vizitën e paraparë ta realizojë në një të ardhme të afërt dhe në një kohë të përshtatshme për të dy palët. Ky vendim u mor pas shqyrtimit të kujdesshëm të situatës në zhvillim të sigurisë dhe nevojës për t'u koordinuar me të gjitha institucionet në vend në mënyrë që të garantohet siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës”, është thënë në njoftimin e Presidencës.