"Shpërthimi i cisternës me acid": Krejt çka dihet për lëndimin e 12 minatorëve të Trepçës
12 minatorët të minierës së Trepçës janë lënduar pas shpërthimit të cisternës me acid. Dy prej tyre janë lënduar më rëndë, ndërsa 10 minatorët e tjerë pas trajtimit në spital, janë liruar për në shtëpi. Minatorët janë vizituar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, teksa për këtë rast ka shkruar edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Çka dihet deri më tani?
Policia e Kosovës në raportin 24 orësh, ka bërë të ditur se rasti i shpërthimit të cisternës me acid në Trepçë është duke u hetuar pasi që nuk dihet si erdhi deri të shpërthimi.
“LËNDIM AKSIDENTAL Fsh. Stanterg, Mitrovicë / 17.01.2024 – 12:00. Raportohet se në rrethana të panjohura në minierën e Trepçës ka shpërthyer një cisternë me acid ku lëndime trupore kanë pësuar 12 persona. Të lënduarit janë dërguar në tretman mjekësor në spitalin e Mitrovicës, ku pas tretmanit dy janë ndaluar në trajtim të mëtutjeshëm ndërsa 10 janë liruar në shtëpi. Në vendngjarje kanë dalë njësitë përkatëse. Rasti është duke u hetuar.” – thuhet në raport.
Ndërkohë, gjatë ditës së mërkurë, Spitali i Përgjithshëm i Mitrovicës, ka bërë të ditur se nga gjithsej 12 minatorë, dy prej tyre janë lënduar më shumë të cilët kanë pësuar lëndime serioze në sy.
“Sot, rreth orës 13:00, ka ndodhur një incident në Minierën e Trepçës, ku ka pasur rrjedhje kimike të acidit sulfurik ku për pasojë janë lënduar 12minatorë”
“Prej tyre, 2 kanë pasur lëndime serioze të syve (djegie kimike me acid sulfurik), të cilët pas trajtimit në Repartin e Emergjencës janë transferuar ne repartin e Oftalmologjisë së Spitalit të Mitrovicës për trajtim të mëtejmë. Ndërsa, 10 prej tyre janë duke u trajtuar në repartin e Emergjencës, të cilët anë jasht rrezikut pë jetë dhe pas trajtimeve pritet të lëshohen në shtëpi.” – thuhet në njoftimin e spitalit.
Ndërkohë, Ministri i Shëndetësisë, ka njoftuar se dy minatorët që u lënduan më shumë janë ende nën mbikqyrjen e mjekëve dhe janë jashtë rrezikut për jetë.
“Trembëdhjetë minatorët e lënduar në Minierën e Trepçës, kanë marrë trajtim shëndetësor në Spitalin e Përgjithshëm "Dr. Sami Haxhibeqiri" në Mitrovicë. Njëmbëdhjetë nga ta, pasi morën trajtimin shëndetësor janë liruar nga spitali në gjendje të mirë shëndetësore.”
“Ndërsa dy të tjerë të cilët kanë lëndime në sy, janë ende nën mbikqyrje dhe kujdesin mjekësor të mjekëve dhe infermierëve. Ata nuk kanë rrezik për jetën.” – ka shkruar ai në Facebook ku ka uruar shërim të shpejtë dhe ka përgëzuar stafin shëndetësor për punën e tyre.
Në anën tjetër, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka vizituar në spital të lënduarit, të cilëve iu ka thënë se Qeveria e Kosovës është në dizpozcion për përkrahje të nevojshme për trajtimin e tyre.
“Në Spitalin e Mitrovicës, së bashku me anëtarët e Bordit të ndërmarrjes, vizitova Ramadanin e Nysretin, dy minatorët e lënduar në aksidentin e pasdites së sotme në minierën e Trepçës. Përkundër lëndimeve të syve, ata kishin vullnetin e vendosmërinë për t'a tejkaluar këtë sfidë e për t'iu rikthyer punës. Gjithashtu pamë nga afër përkujdesjen profesionale e të ngrohtë të Doktoreshës së ndërrimit, Mimoza Shabani, dhe infermiereve të Spitalit të Mitrovicës, dhe i njoftuam të lënduarit dhe stafin mjekësor se Qeveria e Republikës së Kosovës është në dispozicion për çdo përkrahje të nevojshme për t'u siguruar që minatorët marrin trajtimin më të mirë të mundshëm. Falënderoj stafin mjekësor të Spitalit të Mitrovicës për kujdesin maksimal ndaj të lënduarve."
"Minatorët tjerë të lënduar, fatmirësisht, kanë pasur lëndime të lehta dhe janë lëshuar në shtëpi. Nysretit, Ramadanit dhe kolegëve të tyre u urojmë shërim të shpejtë e të plotë.” – ka shkruar ajo në Facebook.
Kujtojmë se minatorët e Trepçës në vazhdimësi janë ankuar për kushte jo të mira të punës. Muaj më parë atë kishin protestuar për shkak të vonesave të pagave.