Shpërthejnë zjarret në Kosovë, dhjetëra hektarë pyje raportohen të djegura
Një pjesë e madhe e zonave pyjore në komunën e Kamenicës, janë përfshirë nga zjarret një ditë më parë. Por jo vetëm. Djegie të hapësirave pyjore janë raportuar edhe në Prizren.
Në raportin 24-orësh Policia e Kosovës ka njoftuar për përhapje të madhe të zjarreve në disa fshatra të Kamenicës si: Karaqevë, Grizime e Reqan.
“Fsh. Karaqevë e Poshtme, Kamenicë, 25.03.2022 - 12:20. Raportohet se rreth 10 hektarë pyll pronë publike janë përfshi nga zjarri. Zjarrfikësit janë duke tentuar të lokalizojnë zjarrin. Fshatrat Grizime dhe Reqan, Kamenicë, (NN) 25.03.2022 – 15:55. Raportohet se një sipërfaqe e madhe e pyjeve është përfshirë nga zjarri. Zjarrfikësit janë duke tentuar të lokalizojnë zjarrin”, thuhet në raportin e Policisë.
Nga zjarri janë përfshirë edhe disa zona afër Kamenicës, më saktësisht në komunën e Ranillukut.
“Fsh. Ropotovë, Ranilluk, 25.03.2022 – 09:00. Raportohet se një sipërfaqe e madhe e pyjeve është përfshirë nga zjarri. Zjarrfikësit kanë arrit të shuajnë zjarrin. Nuk dihet vlera e dëmit të shkaktuar. Rasti është duke u hetuar. Fsh. Rajanovc, Ranilluk, 25.03.2022 – 09:00. Raportohet se një sipërfaqe e madhe e pyjeve është përfshirë nga zjarri. Zjarrfikësit kanë arrit të shuajnë zjarrin. Nuk dihet vlera e dëmit të shkaktuar. Rasti është duke u hetuar”, bëhet e ditur në raport.
Në pjesën më të madhe të këtyre zjarreve, dyshimet janë se janë shkaktuar nga faktori njeri.
“Fsh. Bllacë, Suharekë, 25.03.2022 – 17:20. Raportohet se rreth dy hektar sipërfaqe pyll është përfshirë nga zjarri. Zjarrfikësit janë duke tentuar të lokalizojnë zjarrin. Fshatrat Korishtë dhe Skorobisht, Prizren, 25.03.2022 – NN. Raportohet se një sipërfaqe e pyllit është përfshirë nga zjarri. Njësit e zjarrfikësve janë njoftuar dhe pritet të dalin në vendin e ngjarjes. Fsh. Pejqiqi, 25.03.2022 – 20:00. Raportohet se një sipërfaqe e pyllit është përfshirë nga zjarri. Zjarrfikësit janë duke tentuar të lokalizojnë zjarrin.”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës në raport.
Paratë e falsifikuara
Vazhdon të jetë shqetësues fakti i rritjes së qarkullimit në treg ta parave të falsifikuara. Vetëm në Prishtinë gjatë 24 orëve të fundit, Policia e Kosovës ka raportuar për 500 euro falso që kanë qarkulluar.
Fushë Kosovë, 23.03.2022 - 09:00. Më 25.03.2022 ankuesi mashkull kosovar, punëtor i një banke, ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar, ka deponuar një monedhë prej 100 euro, të falsifikuar. Monedha është konfiskuar. Rasti nën hetime.
“Rr. Migjeni, Prishtinë, 25.03.2022 - NN. Ankuesi mashkull kosovar, punëtor i një banke, ka raportuar se ka hasur në katër monedha të deponuara nga 100 euro, të falsifikuara. Monedhat janë konfiskuar. Rasti nën hetime. Rr. Agim Ramadani, Prishtinë, 25.03.2022 - NN. Ankuesja femër kosovare, punëtore e një banke, ka raportuar se ka hasur në tre monedha të deponuara, 2x100 euro dhe 1x10 euro, të falsifikuara. Monedhat janë konfiskuar. Rasti nën hetime”, thuhet në raport.
Përveç falsifikimit të parasë, janë raportuar edhe dy raste të falsifikimit të dokumentacioneve.
“Aeroporti i Prishtinës, 25.03.2022 - 10:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull shtetas i Turqisë, pasi që në kontroll të dokumenteve ka prezantuar vizën gjermane në pasaportën turke që dyshohet të jetë e falsifikuar. Me vendim të prokurorit, i dyshuari dërgohet në mbajtje. Aeroporti i Prishtinës 25.03.2022 - 17:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull shtetas i Turqisë, pasi që në kontroll të dokumenteve ka prezantuar vizën austriake në pasaportën turke, që dyshohet të jetë e falsifikuar. Me vendim të prokurorit, i dyshuari dërgohet në mbajtje”, njofton Policia.
Në përgjethsi në 24 orët e fundit Policia e Kosovës ka raportuar për 20 aksidente trafiku me të lënduar, 46 aksidente me dëme materiale, 1828 tiketa trafiku të shqiptuara, e 15 persona të arrestuar.