Shpenzimet stratosferike të VV-së: Qindra mijëra euro vetëm për media të preferuara e klube të natës - NACIONALE

Shpenzimet stratosferike të VV-së: Qindra mijëra euro vetëm për media të preferuara e klube të natës

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Lëvizja Vetëvendosje e ka mbyllur vitin 2025 me shpenzime rekord që arrijnë në 4 milionë e 509 mijë euro.

Të hyrat e deklaruara arrijnë në 2 milionë e 185 mijë euro, ndërsa shpenzimet totale kanë kapur shumën prej 4 milionë e 509 mijë eurosh, duke e mbyllur vitin me deficit prej 2 milionë e 323 mijë eurosh. Një pjesë e konsiderueshme e kësaj shifre është dedikuar për paga dhe kompensime të tjera, që në total arrijnë në 929 mijë euro. Ndërkaq, për transport janë shpenzuar 132 mijë euro, kurse për reklama, reprezentacion dhe konferenca janë ndarë edhe 297 mijë euro të tjera.

Sipas raportit financiar, Grupi "Koha" renditet si përfituesi kryesor në fushën e mediave, duke arkëtuar plot 95,120 euro nga partia në pushtet. Kjo vlerë shkëputet dukshëm dhe është tejet më e lartë krahasuar me fondet e destinuara për mediat e tjera, sipas raportit.

Në mesin e përfituesve s’kishte si të mos figuronte edhe Kosovanew-i Jeton Sopës, me hiç më pak se 13,770 euro.

Në të njëjtën listë pagesash gjendjen edhe Katror Media and Publicity SH.P.K. me 20,650 euro, Radiotelevizioni i Kosovës me 11,530 euro, Media Invest SH.P.K. me 6,000 euro dhe Telegrafi me 5,000 euro.

Përveç angazhimit me profilet e grave të rremë në Facebook, Vetëvendosje harxhoi shuma të majme edhe në sponsorizimet e profileve zyrtare në Facebook e Instagram, duke shpenzuar plot 48,168.50 euro për platformat e rrjeteve sociale të Meta-s.

Dokumenti i publikuar tregon edhe një mori shpenzimesh të majme për evente, mikpritje dhe ambiente. Takimi i Albin Kurtit me të rinjtë në Gate Club rezulton t'i ketë kushtuar plot 14,460 euro. Shpenzime të majme pati edhe për Helix Events SH.P.K. me 11,540 euro dhe Hotel Emerald SH.P.K. me 10,989 euro.

Sipas raportit, partia në pushtet del se ka shpenzuar shumë më tepër krahasuar me subjektet e tjera politike në vend. Për të njëjtën periudhë, Partia Demokratike ka shpenzuar gjithsej 2 milionë e 166 mijë euro, Lidhja Demokratike e Kosovës ka regjistruar 1 milion e 335 mijë euro, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka pasur harxhime totale në vlerën e 531 mijë eurove.

Lajme të ngjashme