Shoqata Sindikale e Shërbimit të Jashtëm në mbështetje të protestës: Padrejtësia kërkon reagim aktiv qytetar - NACIONALE

Shoqata Sindikale e Shërbimit të Jashtëm në mbështetje të protestës: Padrejtësia kërkon reagim aktiv qytetar

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Shoqata Sindikale e Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës i ka dhënë mbështetje protestës se sotme kundër Gjykatës Speciale.

Përmes një komunikate për media, kjo sindikatë ka inkurajuar anëtarët e saj për pjesëmarrjen aktive të diplomatëve në këtë nismë qytetare.

Sipas kësaj sindikate, ish-krerëve të UÇK-së po iu bëhet padrejtësi.

“Në mbështetje të protestës së veteranëve për çështje të interesit madhor, Shoqata Sindikale e Shërbimit të Jashtëm (SHSAShJ), fton dhe inkurajon anëtarët e shërbimit diplomatik, që përmes pjesëmarrjes së tyre në protestën e sotshme nga ora 17:00, të solidarizohen me këtë nismë e cila na kujton rëndësinë e peshës së reagimit dhe kundërshtimit publik. Nismat e veteranëve kanë qenë dhe mbesin alarm i zgjimit të ndërgjegjejes publike dhe qytetare, për çka, SHSAShJ shfrytëzon rastin të shpreh mirënjohje të thellë dhe përzemërsisht t’i falënderoj. Për SHSAShJ-në, protesta paraqet nismën e radhës të kundërshtimit të padrejtësisë së vazhdueshme, e cila në vetvete përbën një peshë dhe pengesë për konsolidimin e vazhdueshëm të imazhit të brendshëm dhe ndërkombëtar të vendit. Qëndrimi pasiv dhe indiferent në raport me nevojën për kundërshtimin e dëmeve dhe padrejtësive, është ftesë për ecje në shteg të hapur për ata që i projektojnë ato, kudo dhe kurdo qoftë. E për rrjedhojë, kundërshtimi protestues i padrejtësisë është kthyer në imperativ moral për kundërshtim aktiv qytetar, i cili sot tejkalon çdo interes dhe këndvështrim parcial”, është thënë në komunikatë.

Lajme të ngjashme