Shkon në mbi 19 mijë e 300 numri i përgjithshëm i viktimave të tërmetit - NACIONALE

Shkon në mbi 19 mijë e 300 numri i përgjithshëm i viktimave të tërmetit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Po vazhdon që të rritet numri i viktimave të tërmetit në Turqi e Siri. Gjatë natës, numri i të vdekurve nga tërmeti në Turqi ka shkuar nga 16 mijë e 170, sipas presidentit turk, Rexhep Erdogan.

(E plotësuar): Raportohet se numri i të vdekurve në Siri, i paraqitur nga zyrtarët qeveritarë dhe një grup shpëtimi në zonën e kontrolluar nga rebelët, ka shkuar në 3 mijë e 162.

Kur në Turqi numri i të vdekurve është 16 mijë e 170, të dhënat e reja nga Siria e Turqia e kanë çuar në mbi 19 mijë e 300 numrin e përgjithshëm të viktimave të tërmetit në të dyja shtetet.

_________

Agjencia e lajmeve, IHA, ka raportuar se ekipet emergjente, të cilat kanë punuar gjatë natës në qytetin Antakya, kanë arritur që të nxjerrin nga gërmadhat e një ndërtese një vajzë dhe, gjithashtu, e kanë shpëtuar babanë e saj dy orë më vonë.

Në Diyarbakir, në lindje të qytetit Antakya, punëtorët shpëtuan një grua të lënduar nga një ndërtesë e shemur në orët e hershme të mëngjesit, por gjetën tre njerëz të vdekur afër saj, raporton agjencia e lajmeve, DHA.

Profesori i fatkeqësive dhe shëndetit në Kolegjin Universitar të Londrës, Ilan Kelman, i ka thënë agjencisë AFP se mbi 90 për qind e të mbijetuarve të tërmeteve shpëtohen brenda tri ditëve. Ky afat tashmë ka kaluar në Turqi dhe Siri.

“Përgjithësisht, tërmetet nuk vrasin njerëz, infrastruktura e shembur vret njerëz”- tha profesori Kelman, i cili ka publikuar hulumtime për reagimin dhe shpëtimin në rast tërmetesh.

Faktori më urgjent është dhurimi i vëmendjes mjekësore për njerëzit e shtypur nën ndërtesa të shembura “para se trupat e tyre të dështojnë” ose të humbin shumë gjak, shtoi ai.

Edhe moti është faktor kyç dhe “ai është tërësisht kundër nesh” në Turqi dhe Siri, tha profesori. Rajonet e goditura nga tërmeti janë ballafaquar me temperatura të ulëta, reshje bore e shiu që nga e hëna.

“Shumë fatkeqësisht, kjo nënkupton se hipotermia është e mundshme dhe ndoshta njerëzit, fatkeqësisht, janë duke u shuar për shkak të motit”, shtoi profesori Kelman.

Ata që arrijnë të mbijetojnë në mot të ftohtë dhe nga lëndimet, prapë kanë nevojë për ushqim dhe ujë. Pa ujë, shumë njerëz “do të fillojnë të vdesin brenda tri, katër, pesë ditëve”, sipas tij.

Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, e ka vizituar zonën ku ishte epiqendra e tërmetit, Kahramanmarash. Ai pranoi se autoritetet janë ballafaquar me probleme. “Në ditën e parë, ne përjetuam disa probleme, por pastaj, në ditën e dytë dhe sot, situata është nën kontroll”- tha ai.

Organizata Botërore e Shëndetësisë do të dërgojë ekipe ekspertësh dhe fluturime të posaçme me furnizime mjekësore në Turqi e Siri, bëri të ditur drejtori i përgjithshëm i saj, Tedros Adhanom Ghebreyesys.

Ekipet polake të shpëtimit në Turqi kanë thënë se deri më tani kanë nxjerrë nëntë njerëz të gjallë nga rrënojat, përfshirë disa prindër me dy fëmijë dhe një vajzë 13-vjeçare nga rrënojat në qytetin Besni.

Lajme të ngjashme