Shkon në 23 numri i të vdekurve nga tornadoja në Misisipi të ShBA-së
Ka shkuar në 23 numri i të vdekurve nga një tornado i fuqishëm që e goditi shtetin amerikan, Misisipi, të premten në mbrëmje.
Besohet se disa njerëz të tjerë janë të ngujuar nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara, raporton televizioni BBC.
Stuhia shkaktoi dëme të mëdha materiale në disa vendbanime rurale, ku drurët dhe linjat e rrymës u rrëzuan dhe dhjetëra mijëra ndërprerje rryme u raportuan.
Për breshër me madhësi sa topi i golfit dhe reshje të dendura shiu u raportua në disa zona të Misisipit, ndërsa edhe disa shtete jugore të ShBA-së po përgatiten për stuhi të fuqishme.
Banorët e qytezës së vogël, Rolling Fork, thanë se tornadoja i nxori dritaret nga shtëpitë e tyre. Raportohet se dëmi në atë zonë është veçanërisht i madh.
“Kurrë nuk kam parë ndonjë gjë si kjo... Kjo ishte një qytezë e vogël shumë e mrekullueshme dhe tash s’është më”- tha banorja Brandy Shoëah.
Cornel Knight i tha agjencisë “Associated Press” se ai, gruaja e tij dhe vajza e tyre 3-vjeçare ishin në shtëpinë e një të afërmi në Rolling Fork dhe se gjendja ishte shumë e qetë pak para tornados.
Ai tha se tornadoja e goditi shtëpinë e një fqinji tjetër, ku një mur u shemb dhe disa njerëz mbetën të ngujuar brenda.
Njerëz të tjerë kanë mbetur të ngujuar nën rrënoja dhe disa pjesëtarë të forcave të rendit janë zhdukur në distriktin Sharkey.
