Së paku shtatë të vdekur nga tornadoja e fuqishme në ShBA, disa të tjerë nën rrënoja
Një tornado i fuqishëm e goditi Misisipin e Shteteve të Bashkuara të premten në mbrëmje, duke lënë të vdekur të paktën shtatë persona, duke shkatërruar ndërtesa e duke e ndërprerë energjinë elektrike. Nga stuhia janë prekur edhe disa shtete të tjera jugore të ShBA-së.
Shërbimi Kombëtar i Motit konfirmoi se tornadoja shkaktoi dëme rreth 100 kilometra në verilindje të qytetit Jackson. Qytezat rurale, Sivler City dhe Rolling Fork, raportuan për shkatërrime, përderisa tornadoja vazhdoi drejt verilindjes me shpejtësi prej 113 kilometrash në orë pa u dobësuar, duke shkuar drejt Alabamas, raporton gazeta “The Guardian”.
Të paktën shtatë persona janë mbytur nga tornadoja në Misisipi, tha mjekja ligjore në distriktin Sharkey, Angelia Easton.
Zyra lokale e policisë në Rolling Fork raportoi për rrjedhje gazi e njerëz të ngujuar nën rrënoja, sipas një gazete lokale, e cila shtoi se disa njësite të sundimit të ligjit nuk dihet se ku ndodhen.
Njohësi i stuhive, Reed Timmer, tha se qyteza Rollling Fork ka nevojë urgjente për personel të ekipeve emergjente dhe se ai është duke shkuar me banorë të lënduar drejt një spitali në Vicksburg. Timmer-i publikoi një video, në të cilën shihen pasojat e stuhisë.
Extensive damage path in Rolling Fork, MS @accuweather pic.twitter.com/6rstnCrQs6
— Reed Timmer, PhD (@ReedTimmerAccu) March 25, 2023
Guvernatori i Misisipit, Tate Reeves, tha të premten në mbrëmje se ekipet e kërkim-shpëtimit ishin aktive dhe se zyrtarët janë duke dërguar më shumë autoambulanca e ndihma emergjente te njerëzit e prekur.
Ekspertët e tornadove kanë paralajmëruar për rritjen e shpërfaqjes ndaj rrezikut në rajon për shkak të shtimit të ndërtimeve.
Më shumë se 49 mijë klientë mbetën pa furnizim me rrymë në Arkansas, Misisipi dhe Tennessee deri të premten në mbrëmje, sipas një uebfaqeje për përcjelljen e ndërprerjes së rrymës.