"Shkelje e të drejtave të njeriut": Kritikohet ashpër arrestimi i politikanit serb që fishkëlleu Kurtin në veri
Vizita e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në veri të Mitrovicës gjatë të martës, mori kahje tjetër në momentin kur Policia e Kosovës arrestoi politikanin serb, Aleksandar Arsenijeviq, pasi fishkëlleu kryeministrin Kurtin gjatë vizitës së tij. Politikanë, analistë e njohës të zhvillimeve politike, kanë kritikuar arrestimin e tij dhe e kanë parë si shkelje e të drejtave të njeriut. Për arrestimin e tij ka folur edhe Kurti.
Politikanë e analistët të politikës e kanë parë si veprim të turpshëm dhe si shkelje e të drejtave të njeriut, arrestimin e politikanit serb nga veriu, Aleksandar Arsenijeviq.
Arsenijeviq u arrestuar të martën pasi fishkelleu gjatë vizitës së kryeministrit, Albin Kurti, në një lokal në veri të Mitrovicës.
Ish-ambasadori i Kosovës në Suedi, Lulzim Peci, ka thënë se arrestimi i tij është akt i turpshëm i Policisë së Kosovës.
“Me arrestimin e politikanit Arsenijevic per shkak te fishkellimes gjate vizites se Kryeministrit Kurti ne Mitrovice eshte nje akt i turpshem i Policise se Kosoves. Me kete akt jo vetem qe Policia e ka privuar nga liria nje qytetar qe ka protestuar ne menyre joviolente, por me kete e ka be edhe zhberjen e narrativit te rendit e ligjit te cilin me aq ze te larte e propagon Qeveria e Kosoves. Pastaj, ejani dhe bindeni dike qe institucionet e tona i respektojne te drejtat e njeriut dhe qe i respektojne te drejtat e komuniteteve jo-shumice.” – ka thënë ai.
Më tej, ai ka kërkuar nga partitë opozitare që të reagojnë pasi sipas tij, nuk duhet të heshtet kur shkelen të drejtat e njeriut.
Kryetari i PSD-së Dardan Molliqaj ka reaguar duke thënë se kryeministri Kurti e ka kthyer policinë në vegël politike në veri, duke shtuar presion dhe frikësim.
Ai tha se dhuna ndaj dy personave është e papranueshme, pasi ata po bënin protestë paqësore.
I pari i PSD-së shtoi se kjo qeveri nuk po pranon as edhe një fishkëëllim e sipas tij kjo quhet shtypje.
“Kjo sjellje, që nuk duron as fishkëllimën më të vogël, ka emrin shtypje dhe si e tillë duhet kundërshtuar pa hezitim e kalkulim.” – ka shkruar ai në Facebook.
Drejtor i KDI-së, Ismet Kryeziu, e ka dënuar veprimin e Policisë së Kosovës, të cilin veprim e ka vlerësuar si shkelje të së drejtës për lirinë e shprehjes dhe lirinë e tubimit paqësor.
Në profilin e tij në “Facebook”, Kryeziu ka shkruar se këto të drejta janë të garantuar me Kushtetutë.
“Integrimi i qytetarëve serb dhe respektimi i të drejtave të tyre është një obligim dhe vlerë themelore që garanton funksionimin e demokracisë në Kosovë. Çdo shkelje e të drejtave të tyre civile, si dhe e secilit qytetar të Kosovës pa dallim etnie, dëmton institucionet demokratike dhe minon vlerat e Republikës së Kosovës.” – ka shkruar ai në Facebook.
Edhe analisti politik Petrit Zogaj ka thënë se është veprim i turpshëm nga ana e Policisë së Kosovës. Gjithashtu, edhe gazetari, Adriatik Kelmendi ka reaguar për këtë ngjarje.
Deri më tani, nuk ka pasur ndonjë reagim nga zyrtarë të partive politike opozitare.
Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti, ka thënë se nuk mund ta bëjë policinë e inspektoratin, kur u pyet për arrestimin e Arsenjeviqit.
“Kjo është për policinë e Kosovës, kush ka vërejtje në policinë, është inspektorati, nuk i bëj dot këto dy institucione, nuk kam as të drejtë, as dëshirë t’i zëvendësoj.” – ka thënë ai.
Kujtojmë se Kurti vizitoi veriun e vendit, ku mori pjesë në vënien e gurthemelit për ndërtimin e dy shtëpive në Leposaviq si dhe ndërtimin e objektit ku do të akomodohet Agjencia e Regjistrimit Civil (ARC) dhe nën-stacioni i Policisë së Kosovës në fshatin Leshak të Komunës së Leposaviqit.