Shkelja e radhës e të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, Serbia imponon gjyqtarë të vet në Bujanoc
Kushtetutën e Serbisë (për të mos ia llogaritur mantrën ëndërrimtare se gjoja “Kosova është pjesë integrale e Serbisë”) – Aleksandar Vuçiqi – e ka thuajse si ‘Bibël të dytë’ në fjalimet e tij, përveç kur është fjala te respektimi i të drejtave themelore të njeriut: respektivisht të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Gazetare: Albiona Destani
Hiç më larg se ditëve të fundit një shkelje domethënëse e radhës në të drejtat e përfaqësimit politik dhe institucional të shqiptarëve u evidentua sikur dy plus dy që bëjnë katër.
Këshilli i Lartë Gjyqësor në Serbi – në kundërshtim me kushtetutën e tyre, parimet e barabartësisë dhe vetë Planin Shtatë Pikësh – vendosi gjyqtarë serbë në Gjykatën Themelore të Bujanocit, duke lënë jashtë kandidatët shqiptarë me sukesin nëse jo më të lartë, atëherë të njëjtë, të shënuar në konkurs.
Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, u nisi letër Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Chris Hill dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ku shprehu kërkesat e tij për ndalim të menjëhershëm të këtij diskriminimi të pashoq.
Në letrën e Kamberit që ka siguruar gazeta Nacionale, ai e artikulon kështu:
“Ndër aplikantët ishin dy kandidatë të nacionalitetit shqiptar që jo vetëm plotësonin kërkesat ligjore, por gjithashtu ishin vlerësuar me notën më të lartë (5), të njëjtë me kandidatët e tjerë. Me këtë zgjedhje, besoj se Këshilli i Lartë Gjyqësor ka shkelur rëndë Nenin 77, Paragrafin 3 të Kushtetutës së Republikës së Serbisë, Nenin 20 të Ligjit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Pakicave Kombëtare, Nenin 2 të Rregullores për Zgjedhjen e Gjyqtarëve dhe Kryetarëve të Gjykatave, dhe Nenin 46g të Rregullores së Këshillit të Lartë Gjyqësor”.
Kamberi rikujton – dhe saktëson – se si është rregulli: “Duhet të merret parasysh përbërja kombëtare e popullsisë, përfaqësimi i duhur i pakicave kombëtare, dhe njohja e terminologjisë profesionale juridike në gjuhën e pakicës që përdoret zyrtarisht në gjykatë”.
“Shpreh pakënaqësinë tonë me këtë vendim. Duke marrë parasysh angazhimin dhe përpjekjet tona të përbashkëta për të zbatuar "Planin me 7 Pika," dhe refuzimin e vazhdueshëm të shtetit për të përmbushur detyrimet e tij, pres reagimin tuaj urgjent mbi këtë çështje”, u shkroi Kamberi, Vuçiqit, Hilit dhe OSBE-s.
Çka do të thotë kjo?
Për një qytetar të vëmendshëm dhe të vetëdijshëm politikisht kjo është “e papranueshme”.
E saktësisht në këtë cilësi, Ragmi Mustafi – si dikush që njeh prej së afërmi proceset politike dhe diskriminimin jetëgjatë të shtetit serb karshi pakicës shqiptare shumicë në ato zona – na e shpjegon se çka është çka.
“Së pari, dua të theksoj se është e papranueshme që zgjedhjet e gjyqtarëve në Bujanoc të bëhen në kundërshtim me ligjet e barabartësisë dhe të drejtave të njeriut. Qeveria e Serbisë dhe Presidenti Vuçiq të gjitha institucionet Ligjzbatuese i ka rezervuar për serbët në komunat me shumicë shqiptare. Andaj centralizimi i sistemit shtetëror është kthyer jo vetëm në dezintegrim të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Por, si mekanizëm diskriminues e kontrollues në kundërshtim edhe me konventat ndërkombëtare e evropiane”, tha Mustafi për Nacionalen.
Në lidhje me letrën e Kamberit dërguar Presidencës së Serbisë, Ambasadës së ShBA-së dhe OSBE-së, Mutsafi vëren se “Kamberi ka bërë punë të shkëlqyer” teksa rikujton se edhe vetë Plani Shtatë Pikësh – i shkelur katërcipërisht nga Serbia – “këtë e shtjellon”.
“Rishikimin e procesit të zgjedhjes së gjyqtarëve dhe shtrirjes e strukturimit gjeografik :Sigurimi që çdo proces të jetë në përputhje me ligjet e barabarsisë dhe të drejtave të njeriut. Përfshirja e komuniteteve: Sigurimi që komuniteti shqiptar lokal të ketë zë të fortë në zgjedhjen e gjyqtarëve. Monitorimi ndërkombëtar: Kërkimi për monitorim ndërkombëtar për të siguruar transparencë dhe drejtësi në proces”.
Krejt në fund, Mustafi – i ndërgjegjshëm dhe i pajisur me njohuri të obligimeve që shteti serb ka karshi shqiptarëve – shpjegon që këto procese janë edhe produkte të negociatave me edhe vetë bashkësinë ndërkombëtare.
“Gjithashtu, për të siguruar që ata janë të përgatitur për të shërbyer drejtësisht dhe pa paragjykime. Bashkëpunimi me organizatat ndërkombëtare për të siguruar që procesi të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare të drejtësisë. Transparenca e procesit: Publikimi i të gjitha informacionet lidhur me zgjedhjen e gjyqtarëve e jo imponim nga brendësia e Serbisë. Përmirësimi i ligjeve aktuale: Rishikimi dhe përmirësimi i ligjeve aktuale për të siguruar barazinë në procesin e zgjedhjes. Shqiptarët duhet të kërkojnë implementimin e zbatimit të planit veprimit për ‘Planit 7 pikërish’ i cili është produkt i negociatave për zbatimin e ‘Planit 7 Pikërish’ të ndërmjetësuara nga OSBE me pjesëmarrjen të BE, KiE, USA, UK, GER, FRA, BEL etj”, përfndon Ragmi Mustafi.