Shkarje apo e qëllimshme? Emisari francez i referohet Petkoviqit si drejtor i zyrës për “Kosovë e Metohi”
E PËRDITËSUAR 13:20 - Emisari i Francës për Ballkanin, Rene Troccaz ka fshirë nga llogaria e tij në “X”, postimin ku përdorte termin “Kosovë e Metohi”.
Ndërkohë, Troccaz ka postuar një shkrim të ri rreth takimit, ku thotë:
“Faleminderit Petar Petkoviq për pritjen e ngrohtë. Takim shumë i dobishëm në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, të cilin Franca e përkrah.” – ka shkruar ai.
Thank you @PetkovicPetar for your warm welcome. Very useful discussion on the dialogue between Belgrade and Pristina, which France supports. @francediplo @francediplo_EN @FranceenSerbie pic.twitter.com/GZQY1YrwtY
— rené troccaz (@troccazrene) November 20, 2024
Emisari i Francës për Ballkanin, Rene Troccaz së fundi ka qëndruar në një vizitë në Beograd.
Troccaz përmes një shkrimi në rrjetin social “X”, njoftoi se mes tjerash atje është takuar edhe me Petar Petkoviq, drejtorin e të ashtuquajturës Zyrë në Qeverinë serbe për Kosovën.
Vërehet se Troccaz, i është referuar Kosovës njëjtë si Serbia, duke e quajtur Petkoviqin “drejtor të zyrës për Kosovë e Metohi”.
Nuk dihet nëse një gjë e tillë është bërë qëllimshëm, derisa Franca kishte qenë ndër shtetet e para që kishte njohur Kosovën si shtet të pavarur.
“Takimi shumë i dobishëm dhe interesant në Beograd me Petar Petkovic, drejtorin e zyrës për “Kosova Metohia”. Franca mbështet dialogun e lehtësuar nga BE, plus marrëveshjen Bruksel-Ohër. Faleminderit për pritjen e ngrohtë.” – ka shkruar ai, në shkrimin që është ripostuar edhe nga Ambasada e Francës në Serbi.
Ndërkohë, gjatë kësaj vizite, Troccaz raportohet se ka folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Nga mediat vendore, ai u citua të ketë thënë se Kosova dhe Serbia nuk po bëjnë shumë për normalizimin e marrëdhënieve.
Sipas tij, Franca ishte sponsorizuese e marrëveshjes së fundit, derisa bëri thirrje nga palët që të përmbahen nga “masat e dëmshme të njëanshme”.
“Duhet të normalizojmë situatën, ne punojmë me të dyja palët për të lehtësuar dialogun . Pikërisht për këtë Bashkimi Evropian ka të ashtuquajturën marrëveshje Bruksel-Ohër , e cila është një kornizë në të cilën dy palë, me ndihmën e BE-së, diskutojnë për tejkalimin e vështirësive. Ne e dimë se cilat janë këto vështirësi. Prandaj, ajo që ne bëjmë thirrje është që të dyja palët të përmbahen nga çdo masë e dëmshme e njëanshme.” – ka thënë ai në Forumin e Sigurisë që u mbajt dje në Beograd.