Shifrat ekonomike, grantet, kontratat sekrete: LDK-ja në 'luftë' me pushtetin për "zhbërje të propagandës"
Dorëzimi i ministrit të Bujqësisë, Faton Peci rreth çështjes së grateve dhe nisja e hetimeve nga Prokuroria për kontratat me precedurë të negociuar ka aktivizuar pushtetin në kundërsulme ndaj Lidhjes Demokratike. Ndonëse iu dorëzua presionit, ministri Peci ushtroi kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Prishtinës ndaj kryetarit të FR të LDK-së, Paris Guri, kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe zyrtarëve të tjerë të kësaj partie.
Për çështjen e tenderëve njëburimorë, pushteti nisi sulme të ashpra edhe në drejtim të deputetjes Hykmete Bajrami – kryefjalë e çjerrjes së përdredhjeve me shifra dhe ekspozimit të një sërë skandalesh qeveritare.
Përplasja për çështjen e granteve, ku sekretari i Përgjithshëm i Forumit Rinor të Lidhjes Demokratike, Egzon Pacolli, ekspozoi konflikt masiv interesi, kulmoi në favor të kësaj partie me ministrin e Bujqësisë Faton Peci që pezulloi grantet për familjarët e deputetes Fitore Pacolli.
LDK dhe Vetëvendosje kanë vazhduar përplasjet me pushtetin për çështje të tjera. Nisja e hetimeve nga Prokuroria për kontratat me procedurë të negociuar alarmoi ministrin e Financave, Hekuran Murati, i cili mbrojti kontratat duke pretenduar se kjo “nuk e përcakton se a ka korrupsion në atë kontratë apo jo”.
Ai u arsyetua se kontrata me procedurë të negociuar pati edhe në të kaluarën. “Nëse e shikojmë nëpër vite se si ka qenë raporti i kontratave me procedurë të negociuar nëpër vite, del se niveli më i lartë i përdorimit të kësaj lloj metode, pra tenderë njëburimorë apo tenderë sekretë siç ka qef t’i quajë opozita, ka qenë në vitet 2008 me 19.9% dhe në vitin 2015 me 16.1%.” – tha ai.
Nënkryetarja e LDK-së e deputetja Hykmete Bajrami – kritikja më e madhe e kontratave një burimore të pushtetit aktual – replikoi ashpër në rrjete sociale me ministrin Murati.
Bajrami i kujtoi ministrit se ishin deputetët e LVV-së ata që votuan kundër auditimit të kontratave një burimore në nivel lokal dhe qendror. Deputetja publikoi edhe informacionet nga Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik, ku bëhet e ditur se janë nënshkruar gjithsej 2123 kontrata një burimor me vlerë 272,954,724.00 EUR.
Për temën e kontratave njëburimore reaguan edhe deputeti Besian Mustafa e anëtari Berat Rukiqi. Mustafa akuzoi ministrin Murati për mungesë guximi që me deputeten Bajrami të ballafaqohet ne debat televiziv.
Në dritën e këtyre zhvillimeve, pushteti ka nisur sulme të reja ndaj deputetes Hykmete Bajrami duke e akuzuar për avullimin e “avullimin e 2.5 milionë tonëve nga rezervat shtetërore”.
Krejt këtë situatë ministrja Bajrami e quajti rezultat të frikës nga nisja e hetimeve rreth tenderëve njëburimorë. “Prej që Prokuroria Speciale ka filluar hetimet për tenderët njëburimorë, nga frika po dukeni edhe qesharakë.” – tha ajo.