Shifra të frikshme nga Shqipëria: Kapen eksplozivë, fishekë, armë e drogë, e arrestohen qindra persona   - NACIONALE

Shifra të frikshme nga Shqipëria: Kapen eksplozivë, fishekë, armë e drogë, e arrestohen qindra persona  

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Policia e Shqipërisë ka bërë bilancin e punës javore të saj, nga ku dalim shifra të frikshme. Më shumë se 130 persona të arrestuar, përderisa janë kapu sasi të lëndëve eksplozive, lloje të ndryshme të lëndëve narkotike, sasi e madhe e armëve dhe fishekëve.

‘‘Gjatë kësaj jave janë arrestuar, proceduar dhe shpallur në kërkim 469 persona, nga këta: 133 janë arrestuar, 309 janë proceduar penalisht dhe 27 janë shpallur në kërkim’’, thuhet në njoftimin e policisë shqiptare.

Policia ka arritur të arrestojë edhe 32 persona tjerë që për disa kohë kërkoheshin nga organet e drejtësisë, bile 3 prej tyre ishin në kërkim ndërkombëtar. Gjatë javës policia ka zhvilluar 37 operacione të koduara në Tiranë, Shkodër, Korçë, Pogradec, Kukës e qytete tjera.

‘‘Operacioni ”Vallas”/Shkodër->246 kg kanabis të sekuestruara, 6 shtetas në pranga, 8 bashkëpunëtorët e tyre në kërkim’’, thuhet nga policia, përderisa në Tiranë janë kapur 12 armë, 85 pako me fishekë të kalibrave të ndryshëm, si dhe lëndë eksplozive dhe për gjitha këto është arrestuar një 27-vjeçari.

Po ashtu, në një aksion tjetër policor janë sekuestruar prona dhe pasuri në vlerë 2 milion euro nën aksionin e koduar “Summer 2022”.

E problemet e moçme të shtetit shqiptar me kultivimin e kanabasit kanë dalë në sipërfaqe edhe me aksionin e mbajtur në Korçë ku janë kapur 50.5 kg kanabis, përderisa në Kukës janë konfiskuar 20 kilogram kanabis dhe për këtë janë arrestuar 5 persona. Nëpër territorin shqiptar, policia ka realizuar edhe pesë aksione tjerë me qëllim goditjen e veprimtarisë së kultivimit të bimëve narkotike.

Policisë i doli punë edhe në kufi, ku në 7 aksione janë goditur rrjete që ndihmonin kalimin e paligjshëm të kufirit, kryesisht në kufirin Shqipëri-Greqi. Së paku 14 persona janë ndaluar.

‘‘Janë sekuestruar sasi të ndryshme lënde narkotike të dyshuara kanabis, kokainë, ekstazi, MDMA, fidanë dhe bimë të dyshuara narkotike kanabis, mallra të ndryshëm të dyshuar të kontrabanduar, 3 peshore elektronike, 97 aparate celulare, 1 tablet, 2 laptopë, 2 aparatura DVR, 12 automjete, 2 palë portotarga elektrike për fshehjen e targave, 5 paruke, 1 pasaportë e dyshuar e falsifikuar, biçikleta të vjedhura, medikamente që dyshohet se janë të kontrabanduara në vendin tonë, 1 valixhe me çipsa, si dhe shuma parash dhe asete që dyshohet se e kanë burimin nga aktivitete kriminale’’, vazhdon raporti i gjatë i policisë shqiptare.

Policia ka intervenuar edhe në 45 raste të dhunës në familje.

Ndërkaq janë evidentuar edhe 29 raste të krimeve mjedisore, 7 raste të organizimit të lojërave të fatit dhe 5 raste të vjedhjes së energjisë elektrike. Në fushën e narkotikëve janë evidentuar dhe goditur 50 raste, ndërsa në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar dhe goditur 21 raste.

Gjatë kësaj jave janë pezulluar 763 leje drejtimi, nga të cilat: 601 për shpejtësi mbi normat e lejuara, 84 për drejtim mjeti, në gjendje të dehur dhe 78 për qarkullim në sens të kundërt. Ndërsa janë arrestuar 86 drejtues mjetesh, nga këta: 36 për drejtim mjeti, në gjendje të dehur dhe 50 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Raporti i policisë vazhdon e vazhdon me shkelje të ndryshme.

Lajme të ngjashme