“S’hezitojmë të veprojmë”, KFOR-i me mjete të blinduara në Urën e Ibrit
Nën dritën e entuziazmit qeveritar për hapjen e Urës së Ibrit, e paralajmërimeve të KFOR-it për moshezitim të veprimeve për çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë, mëngjesin e së mërkurës (14 gusht, 2024), misioni paqëruajtës KFOR dhe ai i EULEX ka shtuar praninë në Urën e Ibrit. Siç shihet në pamjet e medias “Pro zë”, aty janë vendosur forca të shtuara me automjete të blinduara të KFOR dhe EULEX. Ky “blindim” vjen pas deklaratës së mbrëshme të KFOR-it, misioni paqëruajtës ka ritheksuar gatishmërinë për të vepruar për të siguruar një mjedis të sigurt.
Në një deklaratë të lëshuar, KFOR-i bëri të qartë se nuk do të hezitojë të ndërmarrë veprime në përputhje me mandatin e tij nëse e kërkon situata.

Deklarata e mbrëmshme e lëshuar nga KOFR
“Ne kemi një prani të dukshme dhe fleksibël në mbarë Kosovën dhe komandanti i KFOR-it ka autoritetin për ta përshtatur atë sipas nevojës dhe nuk do të hezitojë të veprojë në përgjigje të çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë dhe në përputhje me mandatin tonë të OKB-së”, ka thënë KFOR-i në këtë komunikatë.
“Rikonfirmojmë se çdo vendim në lidhje me urën mbi lumin Ibër duhet të merret përmes dialogut politik dhe në mënyrë të koordinuar. Në këtë drejtim, ne vazhdojmë të mbështesim plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë."
“Është thelbësore që të gjithë aktorët të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet e njëanshme që mund të krijojnë tensione. Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën – për të mirën e të gjithë njerëzve dhe komuniteteve – dhe për stabilitetin rajonal”.
“Ne do të vazhdojmë të koordinohemi ngushtë me të gjithë homologët tanë, përfshirë Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), si reagues të parë dhe të dytë të sigurisë, respektivisht. KFOR-i ka burime të mira dhe është i pozicionuar mirë për të marrë të gjitha masat e nevojshme për të vazhduar përmbushjen e misionit të tij të mandatuar nga OKB-ja”, ka përfunduar komunikata e KFOR-it.
“Hapja e Urës së Ibrit nuk është kundër partnerëve”: Kurti thotë se do ta vazhdojnë koordinimin me ndërkombëtarët
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ka komentuar sërish mundësinë e hapjes së Urës së Ibrit.
Kurti deklaroi se kjo temë është diskutuar dje në takim me komandantin e KFOR-it. Kurti tha se raportet kanë dëshmuar që Ura e Ibrit është stabile dhe mund të hapet.
“Me të diskutuam edhe për hapjen e Urës së Ibrit në Mitrovicë, që ne e konsiderojmë si gjë të drejtë, të nevojshme dhe të dobishme për të gjithë. I kemi mirëpritur raportet preliminare të vlerësimit të qëndrueshmërisë së Urës, rezultatet e raporteve, që i kemi ndarë me komandantin e KFOR-it. Në frymën e konsultimeve dhe koordinimit të vazhdueshëm që kemi”, tha Kurti, raporton Nacionale.
Kryeministri theksoi se hapja e Urës së Ibrit nuk është kundër partnerëve të Kosovës, dhe kundër askujt.
“Qeveria e Kosovës dhe unë besojmë që liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit, si dhe paqja e siguria në anën tjetër, janë të mundura bashkë dhe të duhura për vendin, shoqërinë dhe shtetin, qytetarët dhe komunitetet. Ne do të vazhdojmë konsultimet dhe koordinimin me partnerët tanë, hapja e Urës nuk është kundër askujt, aq më pak kundër partnerëve tanë. Kosova është shtet i qytetarëve të saj, dhe urat duhet të jenë të hapura”, tha ai.
Kjo deklaratë e Kurtit erdhi një ditë pasi ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, deklaroi se hapja e Urës, mund të rrezikojë ushtarët amerikanë.
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se ekziston një rrezik real i lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.
“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, tha ambasadori amerikan.
“Shpresa jonë është që Qeveria do ta dëgjojë këtë dhe do t'i marrë parasysh këto shqetësime”, shtoi ai.
Paralajmërimi për hapjen e urës u bë pasi autoritetet e Kosovës më 5 gusht mbyllën zyrat e Postës së Serbisë në veri, veprim që është parë nga aleatët e Kosovës si “i pakoordinuar dhe i njëanshëm”.
Hovenier tha se SHBA-ja është sfiduar nga kryeministri dhe Qeveria e tij në disa aspekte.
"Duhet të them se cilësia e partneritetit tonë nuk është ajo që do të shpresonim të ishte në disa nga këto çështje që lidhen me mënyrën se si ai trajton veriun dhe si ai e menaxhon dialogun".