Shenjë e mirë për drejtësinë? Rritet raportimi i fajdeve pas ardhjes së Qeverisë Kurti II - NACIONALE

Shenjë e mirë për drejtësinë? Rritet raportimi i fajdeve pas ardhjes së Qeverisë Kurti II

4 vjet më parë

nga NACIONALE

“Drejtësi dhe punësim”, ky ishte sllogani kryesor me të cilin erdhi në pushtet koalicioni i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Vjosa, të cilin e kanë inkorporuar edhe në programin e qeverisë KURTI II. Megjithëse punët në këtë drejtim nuk duken aktualisht aq të mëdha, ka një të tillë që po jep sinjalet e para pozitive.

Drejtësia ishte prioriteti i parë i kryeministrit Kurti, madje i vendosur shumë përpara dialogut me Serbinë të cilin e kishte vënë si prioritet të gjashtë ose të shtatë. Një seri aksionesh kundër fajdeve mund të jenë sinjali i parë i kësaj politike. Akuzat për lidhjet me grupe kriminale të kundërshtarëve politikë, ishin pjesë e vazhdueshme e diskursit të partisë, atëherë opozitare, e sidomos të njeriut kryesor të tyre, tash kryeministrit të vendit, Albin Kurti.

Fajdja, ishte vetëm njëri ndër fenomenet në të cilat Kurti pretendonte se njerëz të rëndësishëm të politikës, ishin të përfshirë. Ai disa herë në paraqitjet e tij publike, intervista për media, në Kuvendin e Kosovës, e përmes konferencave të shumta, e denonconte këtë veprimtari, duke e lidhur me partitë në pushtet, që sipas tij po e toleronin e sabotonin qëllimshëm një luftë të tillë. Rajoni i Dukagjinit piketohej si baza kryersore e ushtrimit të kësaj veprimtarie kriminale. Për këtë fakt, shënjestër kryesore e Lëvizjes Vetëvendosje, ishin ish-kryeministri Ramush Haradinaj dhe partia e tij.

Narracioni u ndërtua në atë mënyrë, saqë besohej se secila zonë, secili rajon, kishte të fortët e vet, domosdoshmërisht të lidhur me politikën, e që në emër të tyre dhe për ta, ushtronin aktivitetin ilegal, të dhënies së parave me interes të lartë kthimi, pra, fajdes.

Kjo narrativë, ndonëse jo e vetmja, por pa dyshim më e rëndësishmja, bëri që sot Kurti, ta ketë komoditetin e qeverisjes si i vetëm – diçka që nuk e ka pasur asnjë paraardhës i tij. Me 68 deputetë në Kuvend dhe me së paku tri vite të ardhshme në qeverisje, siç duket ai dhe qeveria e tij, kanë filluar me hapat e parë konkret në përmbushjen e top-prioritetit të tyre. Në kuadrin e këtye veprimeve konkrete, bien në sy aksionet e fundit në luftimin e fajdes si vepër penale dhe të fajdexhinjve, si ata që kryejnë këtë vepër.

Gjatë kësaj periudhe, prej kur mori mandatin Qeveria Kurti II, janë realizuar aksione sporadike e operacione policore, të shpërndara në tërë territorin e Kosovës.

Aksioni më i madh kundër "fajdes“ dhe që bëri bujë më të madhe, ishte ai i datës 22 shkurt të këtij viti, i realizuar në Pejë. Pas bashkëpunimit dhe koordinimit të ngushtë ndërmjet Policisë dhe Prokurorisë Themelore të Pejës, iu vunë prangat 17 personave të dyshuar, u bastisën 21 lokacione, u konfiskuan 12 armë, 10 vetura, 450 mijë euro para të gatshme dhe dokumente të ndryshme.

Edhe para këtij operacioni të madh policor, gjatë kësaj periudhe (njëvjeçare), janë realizuar disa operacione të tjera, të suksesshme, të shtrira në tërë territorin e Republikës. Këtu vlen të përmendet aksioni policor i ekzekutuar tri ditë rradhazi, më 15, 16 dhe 17 shtator të vitit të kaluar. Kjo kishte ndodhur në Pejë, në Gjakovë dhe në Prizren, ku ishin arrestuar në flagrancë tetë të dyshuar për veprat penale “fajde” dhe “detyrim”. Menjëherë pas këtij operacioni të suksesshëm policor kishte reaguar ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Xhelal Sveçla, i cili në llogarinë e tij në facebook shkroi se “Fajden e haraçin do t'i zhdukim, Kosova do të jetë vend i sigurt”.

Aksione të tilla, gjatë kohës së qeverisë KURTI II, e pas kësaj deklarate të ministrit, pati edhe në Lipjan e Gjilan. Redaksia jonë ka tentuar që përmes komunikimit me zyrën për informim të Policisë, të siguronte numrin e saktë të operacioneve policore të ndërmara këtë vit dhe gjatë viteve paraprake, për të evidentuar shtimin e intensitetit në reagimin shtetëror ndaj kësaj veprimtarie kriminale, por kjo gjë ka qenë e pamundur.

Sidoqoftë, shenjë e mirë është se zyra për informim e Policisë së Kosovës ka konfirmuar rritjen e raportimit të kësaj vepre penale gjatë vitit të kaluar. Bazuar në të dhënat e Policisë së Kosovës gjatë vitit 2021, janë raportuar 19 raste kundër veprës penale “fajdja”.

Ne do të monitorojmë me kujdes nëse kjo valë e operacioneve policore do të vazhdojë edhe në ditët e muajt në vazhdim. Një gjë e tillë do të ishte ogur i mirë për përmbushjen e premtimit kryesor elektoral, “Drejtësi dhe Punë”.

Kujtojmë se “fajdja” është vepër penale që ndëshkohet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, konkretisht nenit 331, në të cilin thuhet: “1. Kushdo që për vete apo për personin tjetër pranon ose kontrakton një shumë dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të personit të tillë, gjendjen e rëndë të banimit, varfërinë, papërvojën ose paaftësinë për të gjykuar, dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet. Nëse vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni rezulton me humbje financiare në shumë prej më tepër se dhjetëmijë (10.000) Euro ose nëse kryesi ka realizuar dobi pasurore në shumë që tejkalon dhjetëmijë (10.000) Euro, kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet. 3. Nëse vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni rezulton me humbje financiare në shumë prej më tepër se njëzetepesë mijë (25.000) Euro ose nëse kryesi ka realizuar dobi pasurore në shumë që tejkalon njëzetepesë mijë (25.000) Euro, kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre (3) deri në dymbëdhjetë (12) vjet.

Lajme të ngjashme