Shefi i tyre s'e dinte çka është: Cilët janë dy ministrat e Kurtit që po përkrahin “Marshin për Drejtësi”?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para dy ditësh në një intervistë kur u pyet për “Marshin e Drejtësisë”, deklaroi se nuk ka dëgjuar për këtë iniciativë. Nuk do të kalonin as 24 orë, partia që e ai e drejton, Lëvizja Vetëvendosje, do të dilte në përkrahje të këtij organizimi. Por, cili është qëndrimi i ministrave të Qeverisë?
Tashmë disa deputetë e eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje e kanë shpërndarë shkrimin e kësaj partie, ku konfirmon përkrahjen për “Marshin e Drejtësisë”.
Megjithëse, këtu vlen të theksohet se VV-ja në njoftimin e tyre nuk përmendi të gjithë ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përveç Rexhep Selimit, ish-anëtarin e këtij subjekti politik.
Ministrat?
Deri në momentet e publikimit të këtij tekste, vetëm dy ministra kanë treguar publikisht se e përkrahin këtë organizim.
Ka qenë ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i cili bëri një postim të shtunën në Facebook ku u bënte thirrje ndjekësve të tij që t’i bashkohen marshit, transmeton Nacionale.
“Pastërtisë së luftës sonë nuk mund t'i vëjë njolla askush. Unë besoj në luftën e drejt të çlirimtarëve të cilët po mbahen padrejtësisht të paraburgosur në gjykatën speciale. Të dielën të bashkuar në marshin për drejtësi.” – ka shkruar ai.
Ndërkaq, nga ajo që ka parë Nacionale në rrjete sociale, është edhe një ministër tjetër i Qeverisë Kurti II, i cili ka dhënë përkrahjen e tij.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku e ka shpërndarë shkrimin e Lëvizjes Vetëvendosje duke i dhënë përshkrimin: “Lëvizja VETËVENDOSJE! mbështet Marshin për Drejtësi që do të mbahet këtë të diele me 2 prill prej orës 14:00 në Sheshin Zahir Pajaziti.”
Thirrje për të dalë në shesh, ka bërë edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca.
Të tjetër ndërkohë, nuk kanë shkruar në lidhje me organizimin, duke përfshirë këtu edhe ministren Donika Gërvalla e ministrin Faton Peci, të cilët vijnë nga Lista Guxo.
Ky subjekt politik në fakt, nuk ka dhënë ndonjë qëndrim në lidhje me organizimin dhe nuk dihet nëse ndan mendimin e njëjtë me Lëvizjen Vetëvendosje, partnerin e tyre qeverisës.
Kryeministri Kurti ndërkaq, në përgjigjen e tij kur u pyet për këtë çështje, bëri të ditur se nuk ka dëgjuar rreth kësaj nisme, transmeton Nacionale.
“Po e shoh organizatorin edhe kërkesat edhe po e vlerësoj. Me iu thanë të drejtën nuk e kam dëgjuar deri më sot këtë iniciative, por, si është dita ime këtu, ndonëse duket afër, 2 prilli i së dielës ka ca kohë.” – tha Kurti në Rubikon.
Marshi për drejtësi
Të dielën nga ora 14:00 në Prishtinë pritet të mbahet një marshim si organizim solidarizues me ish-krerët e UÇK-së, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë.
Siç kishte raportuar Nacionale, organizata “Liria ka emër”, që do të organizojë këtë marshim për drejtësi, e di se për çka do të solidarizohet. Pra për të dërguar një mesazh se historia nuk mund te rishkruhet.
“Me 2 Prill nga ora 14:00 takohemi tek sheshi "Zahir Pajaziti" për të marshuar drejt sheshit "Skenderbe" së bashku për t'u solidarizuar me ata qe dikur marshuan e luftuan për lirinë tonë - ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po mbahen në Hagë.” – thuhet në “eventin” e krijuar në Facebook për këtë nismë.
Iniciativa është përkrahur nga PDK-ja, e cila nëpërmjet kryetarit të saj, Memli Krasniqi, i ka ftuar qytetarët të marrin pjesë në këtë marshim.
“Prandaj, në emrin tim dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, mirëpres dhe mbështes marshin për drejtësi të ftuar nga iniciativa “Liria Ka Emër”, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po mbahen në Hagë. Ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që t’i bashkohen këtij marshi solidarizues, për të shprehur hapur mbështetjen dhe bindjen e palëkundur mbi pastërtinë dhe drejtësinë e luftës tonë çlirimtare!” – shkroi ditë më parë Krasniqi në profilin e tij në Facebook.
Po ashtu, edhe PSD-ja e ka bërë të qartë përkrahjen për këtë organizim. Njëkohësisht edhe ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, doli në përkrahje të këtij marshimi.
““Marshojmë për Drejtësi”, një manifestim që meriton përkrahje e solidarizim! Meriton respekt e përkrahje lufta e UÇK-së dhe meritojnë drejtësi luftëtarët e saj që dolën në ballë për të ndalur masakrat e shtetit serb dhe gjenocidin ndaj shqiptarëve. Kosova sot është e lirë falë luftës së UÇK-së, mençurisë politike të Ibrahim Rugovës dhe ndërhyrjes së NATO-s. Kemi qenë bashkë në kohërat më të vështira; jemi solidar sot me të gjithë ata që kontribuan për liri e pavarësi dhe me ata që ishin shembull i gatishmërisë për të zbardhur çdo dyshim në luftën e drejtë dhe të pastër, sepse besonin në Drejtësi! Me mendje jam me ju që do të marshoni për Drejtësi.” – shkroi ish-kryeministri Mustafa.

