Shefi i NATO-s: Ky është një moment vendimtar i luftës
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg kërkoi në Davos që të dërgohen më shumë armë në Ukrainë dhe kancelari gjerman Olaf Scholz premtoi se Gjermania do ta ndihmojë Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
"Ky është një moment vendimtar në luftë dhe ndihma për Ukrainën duhet të rritet ndjeshëm", tha Stoltenberg në një intervistë me Reuters në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos. "Nëse duam një zgjidhje paqësore të dakorduar nesër, ne duhet të dërgojmë më shumë armë sot", theksoi ai.
Kur u pyet nëse Gjermania do të lejonte dërgimin e tankeve të saj Leopard në Ukrainë, Stoltenberg u përgjigj me kujdes, duke thënë se konsultimet po vazhdonin, por ai përshëndeti vendimin e Britanisë për të dërguar tanke Challenger në Kiev.
Britania e rriti presionin ndaj Berlinit këtë javë duke u bërë vendi i parë perëndimor që premtoi të dërgojë 14 tanke Challenger në Ukrainë. Përveç tankeve, Stoltenberg tha se Ukraina ka nevojë për më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore dhe automjete të blinduara, si dhe municione dhe pjesë këmbimi, si dhe aftësi më të mira për mirëmbajtjen e armëve.
Stoltenberg: Situata në fushën e betejës është stabilizuar
Ai tha se situata në vijën e frontit është stabilizuar në javët e fundit, por edhe luftimet e gjata të ashpra në Bahmut dëshmojnë rëndësinë e dërgimit të më shumë armëve. Rusia është fokusuar në Bahmut në javët e fundit dhe pretendon se ka pushtuar qytetin e afërt të minierave Soledar.
"Presidenti Putin nuk tregon shenja të përgatitjes për paqen dhe për këtë arsye ai duhet të kuptojë se nuk mund të fitojë në vijën e parë", tha Stoltenberg.
Gjermania do ta ndihmojë Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme
Kancelari gjerman Scholz u tha udhëheqësve botërorë të mbledhur në Davos se Gjermania do të ndihmojë Ukrainën "për aq kohë sa të jetë e nevojshme" dhe se vendi "po mbron veten me sukses të madh dhe guxim mbresëlënës".
Përpjekjet e Ukrainës, të ndihmuara nga aleatët e saj ndërkombëtarë, kanë rezultuar në dështimin e Rusisë për të "arritur qëllimet e saj imperialiste". Ai theksoi ndihmën e dhënë Ukrainës nga grupi G7, duke vënë në dukje se Gjermania ndau 12 miliardë euro vitin e kaluar.
"Ne do të vazhdojmë të ndihmojmë Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme," tha ai. Scholz është i vetmi lider i G7-ës që merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos këtë vit. /Nacionale/