Ish-zëdhënësi i NATO-s: Kishte konsensus të plotë mbi domosdoshmërinë dhe legjitimitetin e bombardimeve të 99-ës - NACIONALE

Ish-zëdhënësi i NATO-s: Kishte konsensus të plotë mbi domosdoshmërinë dhe legjitimitetin e bombardimeve të 99-ës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea, ka bërë një retrospektivë të ndërhyrjes së NATO-s gjatë luftës në Kosovë. Shea e vlerësoi si të drejtë vendimin e aleancës më të madhe ushtarake për të ndërhyrë në Kosovë, duke e quajtur atë "vendimi të duhur në atë kohë", që - sipas tij - ka kaluar provën e kohës dhe se "është shfajësuar nga historia". Në kontekst të zhvillimeve të fundit, Shea theksoi nevojën që BE-ja të heqë urgjentisht masat ndaj Kosovës.

Ish-zëdhënësi i NATO-s nënvizoi faktin se represioni serb ndaj popullatës civile kosovare ishte në rritje të shpejtë dhe se ngjarjet si masakra në Rajçak, shënuan "një pikë kthese në brutalitetin e saj".

"Ishte vendimi i duhur në atë kohë dhe besoj se është shfajësuar nga historia. Në javët e para të vitit 1999, represioni serb ndaj popullatës civile kosovare po përkeqësohej qartë. Masakra në Rajçak shënoi një pikë kthese në brutalitetin e saj dhe regjimi i Millosheviqit kishte refuzuar paqen e kompromisit që ishte negociuar midis Beogradit dhe delegacionit të Kosovës në Rambuje dhe Paris." - tha ai.

Në lidhje me konsensusin për ndërhyrjen, Shea përmendi se NATO-ja vepronte në bazë të një solidariteti të plotë, pasi të gjitha 19 vendet anëtare ishin dakord për nevojën dhe bazën ligjore të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë.

"Në prag të fushatës ajrore, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s mblodhi në zyrën e tij ambasadorët e 19 vendeve anëtare të aleancës dhe u bëri dy pyetje. A ishte ai i autorizuar për të nisur fushatën ajrore dhe a ishte secili aleat i sigurt se ishte e nevojshme dhe kishte një bazë të fortë ligjore në të drejtën ndërkombëtare humanitare. Të gjithë u thanë po të dyja pyetjeve pa përjashtim. Pra NATO veproi në bazë të një konsensusi të plotë dhe ai solidaritet vazhdoi deri në fund të fushatës ajrore dhe lirisë së popullit kosovar." - tha ai.

Pyetur rreth refuzimit të Serbisë për të pranuar përgjegjësinë për krimet e kryera nën regjimin e Millosheviqit, Shea e bëri të qartë se një vend aspirant në Bashkimin Evropian duhet të jetë i gatshëm të përballët me historinë e tij me sinqeritet dhe përgjegjësi.

"Është përgjegjësi e çdo shteti të pajtohet me historinë e tij, si të keqe ashtu edhe me të mirë. Kjo është edhe më e nevojshme kur provat për krimet e luftës janë dërrmuese dhe të dokumentuara mirë përtej dyshimit shkencor apo ligjor. Udhëheqësit serbë, si Millosheviçi, u paditën nga Gjykata Ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara për akuza të shumta për krime lufte duke përfshirë gjenocidin." - deklaroi ish-zëdhënësi ndër të tjera.

Ai vuri në dukje se përballja me të kaluarën është e rëndësishme për të ndërtuar një të ardhme më të mirë dhe për të siguruar stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

"Stabiliteti në Ballkanin Perëndimor gjithashtu ka nevojë që vendet të japin llogari me ndershmëri dhe plotësisht për të kaluarën dhe t'ua lënë këtë punë historianëve profesionistë dhe jo politikanëve apo mediave. Kështu që unë mund të shpresoj vetëm se Serbia do të ndjekë shembullin e mirë të shumë vendeve të tjera evropiane." - tha ai.

Shea foli gjithashtu për nevojën që BE-ja t'i largojë urgjentisht masat ndaj Kosovës. Në lidhje me marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë, Shea vlerësoi se marrëveshja është ende e largët, por zgjedhjet në ShBA dhe në Bashkimin Evropian nuk pritet të ndikojnë ndjeshëm në qasjen ndaj dialogut Prishtinë-Beograd.

"BE-ja duhet të heqë urgjentisht sanksionet që i ka vendosur Prishtinës për shkak të situatës në veri të vendit." - tha ai.

"Parashikimet janë gjithmonë të rrezikshme, por nuk besoj se zgjedhjet në SHBA dhe Evropë këtë vit do të ndryshojnë ndjeshëm qasjen ndaj dialogut Prishtinë-Beograd. Kur ishte në Shtëpinë e Bardhë herën e fundit, Donald Trump punoi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe madje i ftoi dy presidentët në një samit në Uashington." - deklaroi Shea.

Lajme të ngjashme