ShBA-ja thotë se po merr masa që droni i rrëzuar të mos bjerë në duar të gabuara
Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë tha të martën se Shtetet e Bashkuara janë duke marrë masa për t’u siguruar që droni i rrëzuar në Detin e Zi të mos bjerë në duar të gabuara.
“Pa u futur në shumë hollësi, ajo që mund ta them është që ne kemi bërë hapa për ta mbrojtur kapitalin tonë sa i përket atij droni në veçanti – asaj pajisjeje fluturuese në veçanti dhe ai është pronë e Shteteve të Bashkuara. Ne sigurisht se nuk duam që ndokush tjetër t’i vërë duart në të përpos nesh”- tha John Kirby, bashkërendues për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të ShBA-së, raporton televizioni CNN.
Kur u pyet nëse Shtetet e Bashkuara do të publikojnë dëshmi për ta mbështetur pretendimin e tyre për atë që ndodhi – duke e marrë parasysh mohimin nga Rusia – Kirby theksoi se ShBA-ja “është duke i shikuar disa pamje për të parë nëse ndonjëra mund të jetë e përshtatshme” për t’u publikuar, por shtoi se ende nuk është marrë ndonjë vendim.
Ai e kundërshtoi pretendimin e Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë, e cila ka thënë se droni është rrëzuar pas një “manovrimi të mprehtë”.
Kirby e dënoi incidentin, duke e cilësuar të pasigurt dhe joprofesional. “Ne pa dyshim që nuk duam ta shohim këtë luftë duke eskaluar përtej saj që tashmë ia ka bërë popullit ukrainas”- tha ai.
Pas takimit, në të cilin u thirr në Departamentin e Shtetit, ambasadori rus në ShBA, Anatoly Antonov, tha: “Ne parapëlqejmë që të mos krijojmë një situatë ku mund të ballafaqohemi me përleshje të paqëllimshme ose me incidente të pasynuara mes Federatës Ruse dhe Shteteve të Bashkuara.”

