Pentagoni tregon se pse po fluturonte droni i rrëzuar mbi Detin e Zi - NACIONALE

Pentagoni tregon se pse po fluturonte droni i rrëzuar mbi Detin e Zi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Pas raportimeve për një incident në ajër mes avionëve luftarakë rusë dhe një droni amerikan, Pentagoni ka dalë me një deklaratë ku ka treguar se droni ishte thjesht në një mision rutinë ISR (inteligjencë, vëzhgim, zbulim).

Sipas The Guardian, gjenerali i forcave ajrore amerikane James Hecker, ka thënë se: “Droni MQ-9 po kryente operacione rutinë në hapësirën ajrore ndërkombëtare kur u kap dhe u godit nga një avion rus, duke rezultuar në një përplasje dhe humbje të plotë të MQ-9.”

Më tej bëhet e ditur se në deklaratë është shtuar që: “Forcat ajrore amerikane në Evropë – forcat ajrore në Afrikë fluturojnë në mënyrë rutinore aeroplanë në të gjithë Evropën mbi territorin sovran dhe në të gjithë hapësirën ajrore ndërkombëtare në koordinim me shtetin pritës në fuqi dhe ligjet ndërkombëtare.”

Nga Pentagoni po ashtu është thënë se këto misione janë për qëllim të forcimit të mbrojtjes dhe sigurisë kolektive evropiane, si dhe mbështesin objektivat kombëtare aleate dhe të ShBA-së.

Kujtojmë se ambasadori rus në ShBA i thirrur nga Departamenti i Shtetit, ka thënë fillimisht se “Rusia nuk dëshiron konfrontim me ShBA-në”. Por më pas, sipas CNN ai është shprehur duke thënë se: "Siç e shohim ne, avionët amerikanë nuk kanë punë të jenë afër kufirit rus."

Çfarë ndodhi?

Kujtojmë se më herët gjatë ditës u raportua se një avion luftarak rus ka detyruar rrëzimin e një droni të Forcave Ajrore të ShBA-së mbi Detin e Zi, pasi i kishte dëmtuar helikën.

Sipas CNN, droni Reaper dhe dy avionë SU-27 Flanker, ishin duke operuar mbi ujërat ndërkombëtare mbi Detin e Zi, kur një nga avionët rusë kishte fluturuar qëllimisht përpara dronit pa pilot, duke i hedhur karburant para.

Më pas sipas raportimeve një nga avionët rusë kishte dëmtuar helikën e Reaper, e cila është e montuar në pjesën e pasme të dronit, duke detyruar ShBA-në të rrëzojë dronin e saj në ujërat ndërkombëtare të Detit të Zi.

Kujtojmë se që nga fillimi i luftës në Ukrainë, tensionet mes ShBA-së dhe Rusisë vetëm se janë rritur me kërcënime e provokime të herëpasherëshme nga të dyja palët, e ndërkohë që avionët rusë dhe amerikanë kanë operuar mbi Detin e Zi gjatë gjithë rrjedhës së luftës, incidenti i fundit më dron është ndërveprimi i parë i njohur që potencialisht mund të çojë në një përshkallëzim të rrezikshëm mes dy vendeve në një kohë kritike të luftimeve

Lajme të ngjashme