ShBA-ja thotë se pilotët rusë ishin të pamatur gjatë rrëzimit të dronit amerikan - NACIONALE

ShBA-ja thotë se pilotët rusë ishin të pamatur gjatë rrëzimit të dronit amerikan

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar Rusinë për sjellje të pamatur, pasi një dron amerikan i vëzhgimit u rrëzua në Detin e Zi pas një ballafaqimi me aeroplanët ushtarakë rusë.

ShBA-ja thotë se droni ishte në një mision rutinor në hapësirë ajrore ndërkombëtare, kur dy aeroplanë rusë u munduan që ta pengonin atë, raporton televizioni BBC.

Ky incident e vë në pah rrezikun në rritje për ballafaqim të drejtpërdrejtë mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për luftën në Ukrainë. Rusia mohoi se dy aeroplanët kanë pasur ndonjë kontakt me dronin.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se droni u rrëzua pas një “manovrimi të mprehtë” dhe se fluturakja e tipit “MQ-9 Reaper” e kishte të fikur pajisjen për përcjelljen e vendndodhjes.

Sipas ushtrisë amerikane, incidenti ndodhi rreth orës 7 e 3 minuta të martën sipas Kohës së Evropës Qendore.

“Fluturakja jonë MQ-9 ishte duke kryer operacione rutinore në hapësirë ajrore ndërkombëtare, kur u pengua dhe u godit nga një aeroplan rus, duke rezultuar në një rrëzim dhe humbje të plotë të MQ-9-shit”- thuhet në deklaratën e ushtrisë amerikane.

Disa herë para rrëzimit, aeroplanët e tipit Su-27 hodhën karburant mbi dron “në mënyrë të pamatur, në aspektin mjedisor të papërshtatshme dhe joprofesionale”, thuhet më tej.

Shtetet e Bashkuara e ftuan në takim ambasadorin rus në Uashington, Anatoly Antonov, për të protestuar kundër këtij veprimi.

Pas takimit, ambasadori rus citohet nga mediet shtetërore ruse të ketë thënë se Moska e ka parë incidentin e dronit si provokim dhe si “aktiviteti i papranueshëm i ushtrisë amerikane në afërsi të ngushtë të kufijve tanë është shkak për shqetësim”.

Aleatët perëndimorë kanë punuar shumë për ta parandaluar shndërrimin e luftës në Ukrainë në ballafaqim të drejtpërdrejtë me Rusinë. Megjithatë, ky incident mbi Detin e Zi është mu kjo. Tani, ShBA-ja duhet ta vlerësojë kundërpërgjigjen e vet.

Lajme të ngjashme