ShBA-ja qorton sërish Kosovën në OKB për “veprimet e pakoordinuara”: Punoni përmes dialogut, themeloni Asociacionin
Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Robert Wood, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për ndërmarrjen e “veprimeve të pakoordinuara”, për të cilat tha se nuk janë “në përputhje me përkushtimin e Kosovës për të punuar përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, gjatë seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për raportin gjashtë-mujor të UNMIK-ut.
“Ne mbetemi të shqetësuar për veprimet e pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, të cilat nuk janë në përputhje me përkushtimin e Kosovës për të punuar përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.” – tha ai.
Kreu i misionit të ShBA-së në OKB paralajmëroi se veprime të tilla rrezikojnë mirëqenien e komuniteteve joshumicë dhe pengojnë rrugën drejt normalizimit. “Këto veprime ndikojnë në mirëqenien e komuniteteve të cenueshme dhe joshumicë dhe minojnë rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.” – tha Wood.
Wood theksoi më tej nevojën e zbatimit të të gjitha angazhimeve që dalin nga dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja, përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të punojnë me BE-në, OSBE-në dhe partnerët e NATO-s për të mbajtur tensionet e ulëta në veri të Kosovës; për të penguar masat përshkallëzuese nga secila palë; dhe të shtyjë përpara në zbatimin e të gjitha angazhimeve të Dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, duke përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.” – tha përfaqësuesi i ShBA-së në OKB.
Ai paralajmëroi Kosovën dhe Serbinë “kundër veprimeve të pakoordinuara ose përshkallëzuese”, ndërsa bëri thirrje që palët “të zgjidhin çështjet brenda kornizës së Dialogut.”
Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja u ritheksua si rruga që duhet ndjekur për normalizimin e marrëdhënieve. “Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja është rruga e dakorduar për normalizimin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe përparimin drejt anëtarësimit në institucionet evropiane.” – tha përfaqësuesi i ShBA-së.
Për sulmin në Banjskë më 24 shtator të vitit 2023, Wood ka kërkuar “llogaridhënie të plotë” nga përgjegjësit, përfshirë kryeorganizatorin e sulmit, Milan Radoiçiq.
“Kanë kaluar më shumë se një vit që nga sulmi paraushtarak serb në Stacionin e Policisë së Kosovës pranë Manastirit të Banjskës në veri të Kosovës dhe Serbia nuk ka bërë asnjë përparim domethënës në dhënien e përgjegjësisë të personave të përfshirë, duke përfshirë liderin e vetëshpallur të sulmit, Milan Radoiçiq. Ne kërkojmë llogaridhënie të plotë në përputhje me sundimin e ligjit.” – tha Wood.