ShBA-ja e sulmon grupin e përkrahur nga Irani në Siri pas sulmit vdekjeprurës ndaj koalicionit
Shtetet e Bashkuara kanë kryer sulme ajrore kundër një grupi të përkrahur nga Irani në Siri, pasi një kontraktor i ShBA-së u vra, kur një dron i dyshimtë i prodhimit iranian sulmoi një bazë të koalicionit në verilindje të Sirisë.
Pesë ushtarë amerikanë dhe një kontrator tjetër i ShBA-së u plagosën nga sulmi ndaj bazës së koalicionit të enjten, tha Pentagoni. Dy prej ushtarëve u trajtuan në vendin e ngjarjes, ndërsa tre të tjerë dhe kontraktori i lënduar u dërguan në qendra mjekësore në Irak, raporton gazeta “The Guardian”.
Në një deklaratë të publikuar më vonë të enjten, sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së, Lloyd Austin, tha se forcat e Komandës Qendrore kanë marrë hak kundër sulmit me “sulme ajrore precize” ndaj objekteve në lindje të Sirisë, të cilat përdoren nga grupe të lidhura me Gardën Revolucionare të Iranit.
Departamenti i Mbrojtjes tha se komuniteti i inteligjencës ka përcaktuar se mjeti fluturues pa pilot, i cili u përdor gjatë sulmit ndaj koalicionit, kishte prejardhje iraniane.
“Sulmet ajrore u kryen si kundërpërgjigje ndaj sulmit të sotëm si dhe ndaj një vargu sulmesh rishtazi kundër forcave të koalicionit në Siri” nga grup të lidhura me Gardën Revolucionare, tha sekretari Austin.
Një organizatë për vëzhgimin e luftës, Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, që e ka selinë në Mbretërinë e Bashkuar, tha se tetë luftëtarë pro-iranianë u vranë nga sulmi i ShBA-së të enjten.
Garda Revolucionare e Iranit, e cila i përgjigjet vetëm liderit suprem, Ayatollah Ali Khamenei, ka qenë e dyshuar për kryerjen e sulmeve me dronë në pjesë të ndryshme të Lindjes së Mesme.
Irani nuk reagoi menjëherë për këto sulme, të cilat ndodhën gjatë muajit të shenjtë islam të Ramazanit. Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.
