ShBA-ja e qartë: Synimi ynë është njohja mes Kosovës dhe Serbisë - NACIONALE

ShBA-ja e qartë: Synimi ynë është njohja mes Kosovës dhe Serbisë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë qëndrimin e qartë në lidhje me përfundimin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në një përgjigje për Expressin, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit ka theksuar se qëndrimi i ShBA-së nuk ka ndryshuar, duke theksuar se “synimi afatgjatë” është njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë. Çka tha ShBA-ja?

Sipas DASh-it, ShBA-ja vazhdon të ofrojë përkrahje për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që lehtësohet nga Bashkimi Evropian.

“Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ka ndryshuar.Ne vazhdojmë të mbështesim fuqishëm Dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si rrugë për të arritur një marrëdhënie të normalizuar, paqësore dhe produktive ndërmjet dy vendeve” – ka thënë ky zëdhënës i DASh.

Tutje, në përgjigjën e tij, zëdhënësi i DASh-it ka qenë i qartë, duke mos lënë vend për dykuptimësi. ShBA-ja synon që dialogu mes dy palëve të përfundojë me njohje të ndërsjellë.

“Ne presim që Kosova dhe Serbia të respektojnë dhe zbatojnë të gjitha angazhimet e tyre të Dialogut plotësisht dhe pa vonesa apo parakushte. Synimi afatgjatë i politikës së Shteteve të Bashkuara është një përfundim me njohje të ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” – ka theksuar DASh.

Ndryshe ky prononcim i DASh-it vjen pas një deklarate të ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill, i cili deklaroi se njohja mes Kosovës dhe Serbisë nuk është kusht që Serbia të integrohet në BE.

“Marrëveshja e Ohrit nuk pret njohje de jure të Kosovës nga Serbia. Megjithatë, a mendoni se Serbia do të duhet ta bëjë këtë për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian?” – ishte pyetja që iu shtrua Hillit.

“Nuk mendoj kështu. Ajo që kërkojnë evropianët është pikërisht ajo që ata thonë se kërkojnë dhe kjo është normalizimi. Ata duan paqe dhe siguri në rajon, dhe sigurisht mes Kosovës dhe Serbisë. Unë mendoj se ata e kanë thënë shumë qartë se ka anëtarë të Bashkimit Evropian që nuk e njohin Kosovën, kështu që çështja e vërtetë është të përpiqemi të arrijmë normalizimin ku ata kufij nuk do të jenë kufijtë që ndajnë, por kufijtë që bashkojnë, kufijtë që vërtet i bashkojnë njerëzit dhe shpresoj që njerëzit të kuptojnë se çfarë po themi në të vërtetë këtu për të ardhmen dhe se si do të jetë jeta e njerëzve. Dhe kjo është arsyeja pse unë do të doja të shihja shumë më tepër përparim në frontin e normalizimit, dhe është e qartë se BE-ja e ka gjithashtu këtë në mendje” – ishte përgjigja e Hillit.

Lajme të ngjashme