ShBA-ja e kërkon mbështetjen e aleatëve për sanksione të mundshme ndaj Kinës - NACIONALE

ShBA-ja e kërkon mbështetjen e aleatëve për sanksione të mundshme ndaj Kinës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara janë duke u konsultuar me aleatë të ngushtë për mundësinë e vendosjes së sanksioneve të reja ndaj Kinës, nëse Pekini i ofron përkrahje ushtarake Moskës në luftën e saj në Ukrainë, sipas katër zyrtarëve amerikanë dhe disa burimeve të tjera.

Konsultimet, të cilat ende janë në fazën preliminare, e kanë për qëllim shtimin e përkrahjes nga një varg shtetesh, sidomos nga ato që janë pjesë e Grupit G7, ndaj mbështetjes së bashkërenduar të kufizimeve të mundshme, raporton agjencia “Reuters”.

Nuk qe e qartë se çfarë sanksionesh saktësisht do t’i vendoste Uashingtoni Pekinit. Bisedat mes aleatëve për këtë çështje nuk janë zbuluar më parë.

Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara, njëra ndër agjencitë kryesore që vendos sanksione, ka refuzuar që ta komentojë këtë çështje.

Uashingtoni dhe aleatët e tij kanë thënë në javët e fundit se Kina është duke e shqyrtuar furnizimin e Rusisë me armë. Pekini e ka mohuar këtë pretendim. Ndihmësit e presidentit amerikan, Joe Biden, nuk kanë paraqitur publikisht dëshmi për këtë.

Aleatët perëndimorë e kanë paralajmëruar drejtpërdrejt Kinën që të mos i dhurojë armë Rusisë. Ky paralajmërim i është dhënë edhe presidentit kinez, Xi Jinping, nga homologu amerikan, Joe Biden, si dhe kryediplomatit kinez, Wang Yi, nga homologu i tij amerikan, Antony Blinken, në një takim mes tyre më 18 shkurt.

Në hapat fillestarë të administratës së Bidenit për t’iu kundërvënë përkrahjes kineze për Rusinë është përfshirë kontakti joformal në nivele diplomatike, përfshirë Departamentin e Thesarit, thanë burimet e afërta me këtë çështje.

Ato thanë se zyrtarët janë duke e përgatitur terrenin për masa të mundshme kundër Kinës me grupin themelor të vendeve që u kanë dhënë më shumë përkrahje sanksioneve kundër Rusisë për fillimin e pushtimit të Ukrainës para një viti.

Lajme të ngjashme