Sforcimi i Mujës, lajkatimi me rima i Pecit, dhe premtimet e Kurtit për ndërtimin e Xhamisë së Ibrit - NACIONALE

Sforcimi i Mujës, lajkatimi me rima i Pecit, dhe premtimet e Kurtit për ndërtimin e Xhamisë së Ibrit

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Rryma e zërit jo e vetja.

Armend Muja i Vetëvendosjes provoi ta shtrojë disponimin hyrës të hapjes së fushatës së partisë së vet në Mitrovicë me decibela rëndom të shefit të vet, Albin Kurtit. “Ata të hajnive 20 vjeçare, të pazareve, të shtetit të dobët”, e nisi Muja fjalimin, por s’gjeti rezonim te Kurtit, i cili duartrokitjen e kishte dorëlehtë.

Muja me sforcimin e vet s’gjati shumë, dhe rendin ia dha Faton Pecit.

Ky i fundit fjalimin e kishte të shkruar me rima-pa-arsye: “Sofrat tona kanë bekim, falemnderit ty Albin”, ishte njëra nga këto lloj strofash që u shqiptuan nga Peci, e deri te glorifikimi i shefit të vet si “Mitrovica e ndien borxhin ndaj teje”.

Pas atyre, erdhi Albin Kurti.

E nisi me urimin “për urën e dytë” dhe i sulmoi ish-qeveritë e vendit, se ata “jo që s’kanë ndërtuar ura të reja, por s’i kanë kaluar ato që ishin”.

“Ne që vendosim vet, vendosim ura – ata për të cilët vendosin të tjerët”, ishte, sipas tij, dallimi i tij me spektrin tjetër politik në vend.

“Të dashur mitrovicas. Mitrovica s’është problem i Kosovës. Ish-qeveritë kanë qenë problemi i Mitrovicës. E tash ne e bëjmë Mitrovicën zgjidhje për Republikën e Kosovës”, tha Albin Kurti.

Premtim që e dha “enkas për Mitrovicën” ai tha se do të jetë rindërtimi i Xhamisë së Ibrit të djegur nga ushtria serbe në maj të 1999-ës.

Prandaj, kërkoi ai, “fitoren duhet ta kemi edhe më të madhe se më 9 shkurt”.

Tha se që nga ardhja në pushtet buxheti i shtetit është rritur për 1.6 miliardë nga “sa na e lanë dueti Avdullah Hoti dhe Hykmete Bajrami”.

Nga vendimet e para që, sipas tij, do t’i merrte porsa të niste qeverisjen, do të ishte ligji për kontrollimin e çmimeve të gjësendeve ushqimore elementare, “që na e rrëzoi Gjykata Kushtetuese”.

Ndonëse GjK s’e ka rrëzuar, por ka konstatuar se ajo duhet të bëhet përmes një organi të pavarur, e jo nga kabineti qeveritar – Kurti tha se “kurrë nuk e harroj atë ditë”.

“Kurrë s’e harroj atë ditë, por duhet ta harroj atë ditë, por duhet të ecim përpara me çmime tavan, që shporta ët jetë e kufizuar dhe e përballueshme, pë rklasën e mesme dhe të varfër”, tha ai.

Nuk harroi as ta godasë sistemin prokurial duke premtuar “prokurori të re të specializuar” – temë kjo që e ka rrahur edhe gjatë fushatës së kaluar, pas refuzimit të tij për t’u paraqitur në prokurori për hetimet, tash edhe në aktakuzë, ndaj Rozeta Hajdarit.

“Përveç Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar, do të kemi edhe Prokurori të Re të Specializuar, sipas modeleve të shteteve evrpoiane që e kanë fituar betejën përkatëse”, tha Albin Kurti.

Lajme të ngjashme