Sërish sulm ndaj Policisë në veri, tash me mjete piroteknike
Një tjetër sulm ndaj Policisë së Kosovës ka ndodhur në pjesën veriore të vendit, në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Kështu ka konfirmuar vetë Policia, duke bërë të ditur se sulmi ka ndodhur me mjete shpërthyese, të cilat dyshohet të jenë piroteknike.
Është sulmuar patrulla e Policisë e cila ishte e vendosur në pjesën ku bëhen kontrollet në luftim të kontrabandës.
Nuk ka të lënduar, e as dëme material.
.jpg)
“Sot, më 16.04.2022, rreth orës 03:10, në Sharpej të Jarinjës, kanë ndodhur dy shpërthime (dyshohet nga mjete piroteknike). Shpërthimet kanë ndodhur afër veturës së policisë e cila ishte në një pikë statike ku policia ishte e përqendruar në parandalim të kontrabandës në atë zonë. Nga shikimi i vendit të ngjarjes është vërejtur se në xhamin e veturës policore ka mbetur një copë letre (dyshohet mbështjellës i mjeteve piroteknike). Ngjarja ka ndodhur në një pjesë që është afër territorit të Serbisë dhe dyshimi i bazuar është se këto mjete janë hedhur nga territori i Serbisë. Policia ka qenë duke monitoruar një rrugë ilegale të mbyllur kohë më parë dhe e cila përdorej për kontrabandë të mallrave. Nga ky rast, nuk ka persona të lënduar as dëme materiale. Policia është duke e trajtuar rastin dhe do të vazhdojë aktivitete operative për të parandaluar aktet kriminale trans- kufitare në atë zonë dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë”, njofton Policia e Kosovës.
SULMI I PESTË
Ky është sulmi i pestë ndaj Policisë së Kosovës që ka ndodhur për pak ditë. Dje në një konferencë për media ministri i brendshëm Xhelal Sveçla e drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti, kanë bërë të ditur se Policia është sulmuar edhe me armë automatike e granata dore.
Përveç cilësimit ‘sulm terrorist’, Sveçla tregoi se sulmi ndodhi derisa policët po shkonin për të realizuar ndërrimin.
Madje, i pari i Punëve të Brendshme ofroi edhe detaje për mjetet që u përdorën për sulmin ndaj njësiteve policore.
“Në vëri rreth orës 7 e 20 ka ndodh një sulm ndaj Policisë së Kosovës të cilët kanë qenë duke shkuar për të realizuar ndërrrimin në pikat kufitare. Ky sulm tashmë i faktuar me granatë dore dhe AK47 si një akt terrorist është bërë me qëllim të zyrtarëve policorë dhe gjithë qytetarëve të Kosovës”, tha Sveçla, shkruan Gazeta Nacionale.
.jpg)
Madje ai tha se në tri ditët e fundit kanë ndodhur katër sulme në atë zonë.
E kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e drejtoi gishtin kah fqinji problematik i Kosovës.
I pari i ekzekutivit tha se sulmet po realizohen nga Serbia.
“Për tri ditë rresht (13 -15 prill), oficerët e policisë së Kosovës janë sulmuar në pikëkalimin kufitar me Serbinë. Dje dhe sot në mëngjes breshëri plumbash dhe një granatë dorë është hedhur në drejtim të policisë. Burimet tona kanë identifikuar se sulmet e djeshme vijnë nga Serbia”, ka shkruar Kurti.
Tutje, Kurti i bëri thirrje Serbisë që të distancohet nga këto sulme terroriste, ku viktima nën uniformën e Policisë së Kosovës pati edhe serbë.
“Kjo as nuk do të na pengojë dhe as nuk do të na ndalojë nga lufta jonë për të mbrojtur shtetin ligjor kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në të gjithë territorin e Republikës sonë. I bëj thirrje Serbisë që të dënojë dhe distancohet nga sulmet e dhunshme terroriste ndaj policisë sonë, disa prej të cilëve ishin serbë të Kosovës”, ka shkruar ai.

SHUMË REAGIME
Katër sulme brenda tri ditësh ndaj Policisë së Kosovës në pjesën veriore, kanë nxitur reagimet edhe të krerëve më të lartë shtetërorë.
Në mesin e tyre që reagoi ishte edhe presidentja Vjosa Osmani.
Shefja e shtetit, që është edhe komandante e FSK-së, ka mbledhur në një takim strukturat e sigurisë, përfshirë drejtorin e Policisë, të AKI-së e ministrin e Brendshëm.
Por gjatë tërë ditës nuk janë ndalur reagimet në lidhje me sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi e quajti sulmin akt kriminal duke u bërë thirrje organeve përgjegjëse, t’i japin përgjigje meritore çdo përpjekjeje që cenon Kosovën dhe sovranitetin e saj.
“Sulmi ndaj Policisë së Kosovës afër pikave kufitare me Serbinë, është akt kriminal dhe i patolerueshëm që për qëllim ka cenimin e rendit të ligjit për dobi të kriminelëve, në një kohë kur Kosovës i duhet stabiliteti e siguria, ndërsa mohuesve të sovranitetit tonë u konvenon trazira dhe provokimi i paqes”, thuhej në postimin e tij.
Për sulmin, ka reaguar edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Jeff Hovenier, ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, ka reaguar sërish për sulmin e sotëm ndaj policisë së kosovës.
Ai shkroi sërish në TËitter, ku tha se e dënon fuqishëm këtë dhunë të mjerueshme, por duke bërë me dije se duhet të kihet kujdes me spekulimet se prej nga kanë ardhur sulmet.
"Ne e dënojmë fuqishëm këtë dhunë të mjerueshme, të pajustifikueshme. Zyrtarët e zbatimit të ligjit janë përgjegjës për hetimin e situatës. Ne paralajmërojmë për kujdes ndaj spekulimeve që do të rrisin tensionet dhe do të dënojmë çdo përpjekje për të penguar këtë punë thelbësore", shkroi Hovenier.
Edhe Bashkimi Evropian e ka dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës duke bërë thirrje për mos spekulim për ngjarjen.
“U bëjmë thirrje të gjithëve që t’i shmangin spekulimet e panevojshme që mund të shtojnë tensione të mëtejshme, duke theksuar se hetimi i rastit do të bëhet nga organet përkatëse ligjzbatuese”, thuhet në reagim e BE-së.
Ndërsa reagimet pati edhe nga Serbia, e cila kërkoi nga të gjithë aktorët në Prishtinë “të përmbahen nga spekulimet e papërgjegjshme dhe jo të besueshme për ngjarjet në Zubin Potok".
Mediat e huaja gjatë ditës kanë shkruar për sulmin që ka ndodhur ndaj Policisë së Kosovës në veri.
Mes tyre ishin Reuters dhe USNeËs, të cilat raportuan se sulmi ndaj policisë ndodhi në kufirin e Kosovës me Serbinë, në vendin ku ka tensione ndëretnike me dekada të tëra.