Serbia e para në Evropë me raketa kineze: Armatosja e fqinjve na kërcënon seriozisht - NACIONALE

Serbia e para në Evropë me raketa kineze: Armatosja e fqinjve na kërcënon seriozisht

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Shteti serb në vazhdimësi është furnizuar nga kundërshtarët e perendimit dhe aleatët e saj Rusia dhe Kina. Pikërisht për shkak të këtij bashkëpunimi, Serbia është në cak të kritikave nga Perëndimi, sepse si shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ajo nuk e ka harmonizuar ende politikën e saj të jashtme me atë evropiane.

Sot gjatë ditës, mediat dhe ekspertë të ndryshëm ushtarakë kanë thënë se gjashtë avionë transporti Y-20 të Forcave Ajrore kineze zbarkuan në aeroportin e Begoradit të shtunën. Më tej u raportua se këta avionë mbanin sisteme raketore tokë-ajër HQ-22 për forcat ushtarake të Serbisë.

Sipas Associated Press, avionët kinezë të mallrave me shenja ushtarake janë fotografuar në aeroportin Nikola Tesla të Beogradit.

Edhe pse Serbia ka votuar në favor të rezolutave të OKB-së që dënojnë sulmet e përgjakshme ruse në Ukrainë, ajo ka refuzuar t'i bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër aleatëve të saj në Moskë ose të kritikojë drejtpërdrejtë mizoritë e dukshme të kryera nga trupat ruse atje.

Në vitin 2020, zyrtarët amerikanë paralajmëruan Beogradin kundër blerjes së sistemeve kundërajrore HQ-22, versioni i eksportit i të cilit njihet si FK-3. Ata thanë se nëse Serbia vërtet dëshiron t'i bashkohet Bashkimit Evropian dhe aleancave të tjera perëndimore, ajo duhet të harmonizojë pajisjet e saj ushtarake me standardet perëndimore.

Sistemi i raketave kineze është krahasuar gjerësisht me sistemet e raketave amerikane Patriot dhe ato ruse S-300. Më këtë dërgesë nga Kina, Serbia do të bëhet operatori i parë i raketave kineze në Evropë.

Kujtojmë se Serbia, vend i cili po kërkon zyrtarisht anëtarësimin në BE, në vitet 1990 ishte në luftë me fqinjtë e saj, ndërsa tashmë ka rritur forcat e saj të armatosura edhe me armë ruse dhe kineze, duke përfshirë avionë luftarakë, tanke luftarake dhe pajisje të tjera.

Në Perëndim ekziston frika se armatosja e Serbisë nga Rusia dhe Kina mund të inkurajojë vendin ballkanik drejt një lufte tjetër, veçanërisht kundër Kosovës.

Serbia vazhdimisht ishte furnizuar nga kundërshtarët e Perëndimit si Rusia e Kina.

Edhe pse dy vjet më parë Serbia ishte paralajmëruar që ta ndërpriste furnizimin me armë, ajo prapë kishtë vazhduar kontraktimet e saj për dërgesë të armëve nga Rusia.

Në vitin 2019, Serbia bleu një bateri nga Rusia, e cila përbëhet nga gjashtë sisteme. Së voni, një e tillë u përdor në luftën në Siri.

“Panciri” arriti në Serbi vitin e kaluar, në disa pjesë, që u kompletuan në mars.

Për herë të parë në territorin e Serbisë, "Pancir S1" hyri në tetor të vitit 2019. Krahas sistemit raketor rus S-400, ai u prezantua gjatë një manovre të përbashkët ushtarake ruso-serbe.

Edhe Brukseli, edhe Uashingtoni reaguan ndaj furnizimit të Serbisë me sistemin raketor rus.

Mirëpo, në pesë vitet e fundit, Ushtria e Serbisë bleu nga Rusia helikopterë Mi-17V-5, helikopterë luftarakë Mi-35M dhe sistemin raketor PVO “Pancir S1”.

Pikërisht për shkak të bashkëpunimit me Rusinë, Serbia është në cak të kritikave nga Perëndimi, sepse si shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ajo nuk e ka harmonizuar ende politikën e saj të jashtme me atë evropiane.

Çështja e Kosovës

Vitin e kaluar Serbia kishte demostruar forcën e saj ushtarake nga rrafshnalta e Peshterit në jug e deri në Kragujevc në Serbinë Qendrore. Me armë të rënda dhe me ushtarë, Serbia gjatë dy javëve të fundit demonstroi forcën e saj ushtarake që e ka në dispozicion.

Stërvitja taktike e përbashkët dyjavore, e titulluar “Shkrepëtima e rrufesë” në Peshter, ka përfunduar dhe një ditë më vonë. Më 28 qershor, një pjesë e armëve dhe pajisjeve të tjera u dërguan rreth 200 kilometra në veri, në Kragujevc, në Serbinë Qendrore.

Gjatë demonstrimit të armëve dhe pajisjeve të tjera ushtarake, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq njoftoi se ushtria do të vazhdojë të pajisjet me armatim të ri.

“Shumëçka do të marrim vitin e ardhshëm, gjë që do ta bëjë ushtrinë serbe dy herë më të fortë se sa është sot”, deklaroi Vuçiqi në Kragujevc.

Armët ilegale

Revistat e huaja e vendosin Serbinë në vendin e dytë në botë, për nga numri i armëve në duart e qytetarëve.

Askush nuk e di sa ka armë ilegale në duart e qytetarëve të Serbisë saktësisht.

Autoritetet thonë se shifrat mund të jenë prej 200.000 - 900.000 pistoleta, pushkë, bomba, zolla… Ndërsa ekspertët vlerësojnë se në duart e qytetarëve janë rreth një milionë armë ilegale, sa ka edhe armë me leje, raportonte Deutsche Welle.

Numri i madh i armëve në duart e qytetarëve serbë, konsiderohet se është një trashëgimi gjatë kohës se luftërave të Ish-Jugosllavisë në vitet 90. Pra, armët konsiderohen se janë marrë nga kazermat e Armatës Popullore të Jugosllavisë apo nga njësitet paramilirtare në kohë e dekadës së gjakëderdhjes në Ish-Federatën Jugosllave.

Çështja e Kosovës II

Furnizimi i vazhdueshëm i Serbisë me armë ishte parë në vazhdimësi si kërcënim për Ballkanin, sidomos për Kosovën.

Kryeministri i Kosovës ditë më parë kishte deklaruar se lidhjet e fuqishme ushtarake dhe ekonomike të Serbisë me Rusinë sigurisht që përbëjnë alarm të vazhdueshëm në Kosovvë.

“Për shembull, Serbia i ka 14 MiG-29, aeroplanë luftarak, dhe prej tyre 8 i kanë si donacion nga Bjellorusia dhe 6 nga Federata Ruse.”, kishte deklaruar Kyeministri Kurti, i cili theksonte se antarësimi i Kosovës në NATO do të krijonte siguri për qytetarët.

“Ne jemi të vendosur dhe vigjilent, dhe nuk jemi të frikësuar. Ne duam t’i bashkohemi BE-së dhe NATO-s.Tani për tani kemi NATO-n në Kosovë, por sa më shpejtë që anëtarësohemi në këtë organizatë aq më mirë do të jetë për qytetarët e Kosovës”, vazhdonte kryeministri.

Ndonëse ende nuk kemi parë një reagim të kryeministrisë për furnizimin e sotëm të Serbisë nga Kina, për këtë gjë sot ka reaguar presidenca e Kosovës.

Blerim Vela, shefi i kabinetit të Presidencës së Kosovës, ka reaguar ndaj publikimit të hulumtimit të Associated Press që vërteton furnizimin e Serbisë me armë kineze përmes Turqisë.

Vela shprehu shqetësimin për lajmin duke thënë se është dita e dytë që armët kineze po transportohen në Serbi me rrugë ajrore.

”Është dita e dytë e dërgesave të armëve kineze në Serbi: disa fluturake të 🇨🇳PLAAF (Forca Ajrore Kineze) fluturuan mbi Bosfor gjatë rrugës për në Bazën Ajrore Batajnica për të dorëzuar Guizhou Aerospace, nga industria Shaanxi Yelloë River Group, prodhuar në versionin HQ22 Red Banner SAMK, për eksport”, ka shkruar Vela në Twitter.

Ndërkaq, ish-ministri i jashtëm dhe deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se dërgesa e armëve nga Kina në Serbi, përbën kërcënim serioz veçanërisht për Kosovën.

Ai në një postim në Twitter ka shkruar se jemi në një epokë kur shtetet ndahen në demokraci kundër autokracive.

“Dërgesa e fundit e armëve nga Kina në Serbi, më parë edhe nga Rusia, përbën një kërcënim serioz për Ballkanin Perëndimor, veçanërisht për Kosovën. Jemi në një epokë kur shtetet ndahen në demokraci kundër autokracive. Kina dhe Serbia kanë zgjedhur këtë të fundit për të qenë bashkë”, ka shkruar Hoxhaj.

Serbia konsiderohet fuqia më e fortë ushtarake në Ballkanin Perëndimor dhe në nivelin global është në pozicionin e 61-të me një indeks prej 1.0063, sipas listës për vitin 2021, të botuar nga organizata Global Firepower

Me rishikimin e fundit të buxhetit, për Ministrinë e Mbrojtjes në Serbi, kjo shumë u rrit me 46 miliardë dinarë (391.2 milionë euro) në raport me planifikimet paraprake buxhetore. Me këtë rritje, buxheti për këtë ministri tashmë ka arritur në 148 miliardë dinarë (1.2 miliard euro).

Qeveria së Kosovës kishte rritur buxhetin për FSK-në, për vitin 2022, në 100 milionë euro. Mirëpo, buxheti i FSK-së, është aktualisht sa një e nënta e buxhetit të ushtrisë së Serbisë. Ndërkohë që Ushtria e Kosovës vazhdon të mos ketë në altirelinë e saj tankse dhe helikopterë. Për mungesën e këtyre kapaciteteve ushtarake, Kurti kishte thënë se para mjeteve ushtarake, në ushtri më i rëndësishëm është morali i ushtarëve.

Lajme të ngjashme