Serbia e Maqedonia në Dialog Strategjik me SHBA-në, Kosova e Kurtit e "suspenduar" kurrë më larg partneritetit me amerikanët - NACIONALE

Serbia e Maqedonia në Dialog Strategjik me SHBA-në, Kosova e Kurtit e "suspenduar" kurrë më larg partneritetit me amerikanët

1 orë më parë

nga NACIONALE

Këtë të premte, nis raundi i parë i Dialogut Strategjik në mes të Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por jo edhe me Kosovën e udhëhequr nga kryeministri në detyrë dhe lideri i VV-së, Albin Kurti, i cili çdo ditë e më shumë po e largon Kosovën nga partneriteti me SHBA-në.

Lajmin për fillimin e Dialogut Strategjik me SHBA-në e dha Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, i cili tha se ky është një nga zhvillimet më të rëndësishme në marrëdhëniet mes dy vendeve në vitet e fundit.

“Në historinë e marrëdhënieve mes dy vendeve, kjo është hera e parë që Serbia dhe Shtetet e Bashkuara i ngrenë raportet e tyre në nivelin e partneritetit strategjik”, u shpreh ai për mediat serbe.

Duhet theksuar se në janar të këtij viti, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se një nga kërkesat e paraqitura nga SHBA-ja për fillimin e Dialogut Strategjik me Serbinë lidhet me sektorin e energjisë.

Serbia, ndërkohë, pranoi bashkëpunimin me SHBA-në për gazin e lëngshëm natyror dhe diversifikimin e furnizimit me gaz.

Përderisa Serbia afrohet gjithnjë e më shumë me SHBA-në, Kosova e udhëhequr nga Kurti gjithnjë e më larg partneritetit me amerikanët, jo vetëm në politikë, por edhe në fushën e ekonomisë.

Përveç Serbisë, edhe Maqedonia e Veriut tashmë është pjesë e Dialogut Strategjik me SHBA-në. Takimi i parë u mbajt më 2 qershor 2022 në Uashington DC dhe u drejtua nga ish-ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, dhe ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Dr. Karen Donfried.

Kosova dhe Dialogu Strategjik i pezulluar me SHBA-në:

Në janar të vitit 2025, presidentja e Kosovës në atë kohë, Vjosa Osmani, kishte njoftuar se shteti i Kosovës së shpejti do të nisë Dialogun Strategjik me SHBA-në.

Në një shkrim në Facebook, pas një takimi në Prishtinë me zëvendëssekretarin e Shtetit për Menaxhim dhe Burime i SHBA-së, Richard R. Verma, Osmani tha se zyrtari amerikan ia konfirmoi asaj se, pas kërkesës së saj nga viti 2021, Kosova dhe SHBA-të do ta finalizojnë së shpejti "dialogun strategjik".

Por çfarë ndodhi që ky dialog u pezullua disa muaj më vonë?

Në shtator të vitit 2025, ishte pikërisht Qeveria në detyrë e liderit të VV-së, Albin Kurti, që kishte ndërmarrë veprime të njëanshme dhe kishte bërë deklarata publike të pamatura, që kishin çuar deri te pezullimi i Dialogut Strategjik me SHBA-në, të cilat, siç tha Uashingtoni, rritën tensionet, pasigurinë dhe paqëndrueshmërinë në rajon.

Kurti atë botë kishte sulmuar Gjykatën Kushtetuese, të cilën e kishte portretizuar si vegël të partive opozitare.

Në një përgjigje që Departamentit amerikan të Shtetit i kishte dhënë Gazetës Nacionale, ishte eqartës që veprimet e Kurtit kishin quar deri të ky vendim.

Suspendimi i Dialogut Strategjik “është krejtësisht i bazuar në veprimet e qeverisë kujdestare të Kosovës", tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit në një përgjigje me shkrim për gazetën Nacionale.

Këto shqetësime i janë thënë Albin Kurtit, na tha zëdhënësi – dhe, për më tepër, “ia kemi bërë plotësisht të qartë pozicionin e ShBA-së”.

Ndërsa në një njoftim në Facebook, Ambasada e SHBA-së kishte thënë se veprimet e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”.

Ambasada amerikane gjithashtu kishte deklaruar se Dialogu Strategjik ishte menduar për t’i forcuar lidhjet ekonomike dhe diplomatike në të mirë të popullit amerikan dhe atij kosovar.

“Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite”, tha ajo, pa shpjeguar se për çfarë deklaratash dhe veprimesh bëhet fjalë saktësisht.

Në anën tjetër, Kurti e kishte pranuar se Qeveria e tij në detyrë ka “disa” dallime në qëndrime me Shtetet e Bashkuara.

Përveç që politikat e Kurtit dhe partisë së tij kanë qenë shpesh në kundërshtim me vlerat që përfaqësojnë SHBA-të, veprimet e tyre së fundmi shpesh kanë “përplasur” dhe ndarë Kosovën dhe Uashingtonin.

Së fundmi, Kosova e udhëhequr nga Kurti, si i vetmi vend në rajon, nuk ka pranuar as projektin amerikan të gazit.

Përfaqësuesit e ambasadës bënë të qartë se përfshirja e Kosovës në projektet e gazit gjeopolitik ballkanik është kusht i rëndësishëm për të garantuar dhe siguruar investimet e ardhshme kapitale amerikane në vend.

Uashingtoni ritheksoi se prioritet i administratës së tyre mbetet reduktimi i varësisë së Evropës dhe Ballkanit nga energjia ruse, prandaj inkurajojnë Kosovën të hyjë në partneritet afatgjatë energjetik me Amerikën.

Mirëpo, as kjo nuk po e bind Qeverinë në detyrë të Kurtit që të bëhet pjesë e projektit amerikan të gazit.

Anu Prattipati u bëri thirrje të hapur institucioneve të Kosovës që të diversifikojnë furnizimin me energji përmes Gazit të Lëngshëm Natyror (LNG) nga SHBA-ja.

Çfarë është Dialogu Strategjik me SHBA-në dhe pse është jetik për Kosovën?

Dialogu Strategjik është një mekanizëm diplomatik dhe institucional i nivelit të lartë, përmes të cilit Departamenti Amerikan i Shtetit ngre marrëdhëniet dypalëshe me një vend partner në një shkallë më superiore dhe të privilegjuar.

Ky proces nuk është një bisedë e thjeshtë diplomatike, por një platformë e strukturuar ku Uashingtoni dhe vendi mik bashkërendojnë agjendat e tyre politike, ekonomike dhe ushtarake.

Për një shtet me subjektivitet të kontestuar ndërkombëtarisht si Kosova, ky dialog ka rëndësi ekzistenciale për sigurinë dhe zhvillimin e saj:

  1. Gjeopolitik: E rreshton Kosovën në grupin e ngushtë të vendeve të përzgjedhura nga Shtëpia e Bardhë, duke rritur peshën e saj diplomatike në Ballkan.
  2. Siguria kombëtare: Ndihmon në tranzicionin e plotë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në një ushtri të rregullt sipas standardeve të NATO-s.
  3. Investimet dhe MCC: Zhbllokon qindra miliona dollarë grante nga agjencitë federale si Millennium Challenge Corporation (MCC) për infrastrukturë dhe pavarësi energjetike.
  4. Njohjet ndërkombëtare: Angazhon drejtpërdrejt diplomacinë amerikane për të lobuar për njohje të reja dhe anëtarësim në organizata si EBRD, Interpol apo SWIFT./Nacionale

Lajme të ngjashme