“Serbi i katër që e liruam”: Serbia fryhet për lirimin e serbëve të arrestuar në veri - NACIONALE

“Serbi i katër që e liruam”: Serbia fryhet për lirimin e serbëve të arrestuar në veri

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sot është liruar edhe serbi i katërt që u arrestua muajin e kaluar gjatë tensioneve në veri. Më saktësisht, gjykata e liroi serbin Urosh Vukashinoviq, i dyshuar për sulm ndaj gazetarëve në Leposaviq. Ky lajm ka nxitur Serbinë të “fryhet” me lirimin e Vukashinoviqin, ndërsa në Kosovë ka pasur edhe hipoteza interesante se pse po lirohen serbët e “gjykuar” publikisht nga minsitri Xhelal Sveçla si kriminel.

Kryenegociatori i Serbisë në dialogun me Kosovën, Petar Petkoviq, nga Brukseli, ku ishte për takim me emisarin e BE-së, Mirosllav Lajçak, ka shkruar për lirimin e serbit, Urosh Vukashinoviq, i cili dyshohej për sulm ndaj gazetarëve në Leposaviq. Ai i ka privatizuar meritat, duke thënë se Vukashinoviq është serbi i katërt që e liruan dhe i cili tashmë i është bashkuar familjes së tij. Në shkrimin e tij, Petkoviq theksoi se nuk do të ndalojnë deri në lirimin e të gjithë të arrestuarve për sulme ndaj gazetarëve dhe KFOR-it.

“Dhe Urosh Vukashinoviq, serb i arrestuar në Leposaviq më 17 qershor nga policia e Kurtit, sot është liruar! Ai sapo ishte bashkuar me familjen e tij. Uroshi është serbi i katërt që e liruam dhe vazhdojmë luftën për të gjithë bashkatdhetarët tanë të arrestuar pafajësisht!” - ka shkruar Petkoviq në Twitter.

Përveç Vukashinoviqit, deri tani janë liruar edhe Nemanja Vllaskoviq, Dalibor Spasiq dhe Radosh Petroviq, të cilët u arrestuan nën dyshimin për pjesëmarrje në dhunë ndaj gazetarëve dhe ushtarëve të KFOR-it, ku mbetën të lënduar dhjetra pjesëtarë.

Në burg ende po qëndrojnë Nenad Orloviq, Milun Milenkovic- Llune dhe Dushan Obrenoviq, që po ashtu janë arrestuar javë më parë nën dyshime të ngjashme sikurse tre serbët e liruar. Lirimin e Nemanja Vlaskoviqit, të cilin Sveçla e kishte quajtur kriminel, e ka komentuar deputeti i VV-së, Armend Muja.

Deputeti nga Mitrovica, ka shkruar se lirimi i Vlaskoviq është tërësisht vendim i papranueshëm dhe i gabuar nga ana e gjyqtarit. Në shkrimin e tij në Facebook, Muja shkroi se Vllaskoviq, që së fundmi kishte sulmuar gazetarët, ka edhe dosje të thukët kriminale.

“Vetëm njëri prej të liruarve në dorëzani, Nemanja Vlaskoviq, që së fundmi ka sulmuar gazetarët ka dosje të thukët kriminale. Ai përveç tjerash ka punuar në komunën paralele të Leposaviqit. Po ashtu ai është pjesë e grupit kriminal ‘’Udarna Ekipa’’, që merren me sulme të befasishme me mjete të forta dhe shpërthyese ndaj PK-së, Qeverisë etj. Po ashtu i dyshohet edhe per vepra tjera. Është tërësisht i papranueshëm dhe i gabuar një vendim i tillë nga ana e gjyqtarit kur ka pasur qindra opsione tjera të parapara me Kodin Penal.” – shkroi Muja.

Ndryshe, analisti politik Halil Matoshi pretendoi se Qeveria e Kosovës në mënyrë të fshehtë po e zbaton Marrëveshjen e Ohrit. Ai shkroi se tërheqja e 25% e policisë nga ndërtesat komunale në veri dhe lirimi nga arresti i serbëve të portretizuar si “terroristë” janë indikator se kjo marrëveshje ka filluar të zbatohet.

"Nëse nuk e keni ditë: Ka nisë fshehtë zbatimi i Marrëveshjës së Ohrit!? Tërheqja e 25% e policisë speciale nga ndërtesat komunale është hap i parë nga pala kosovare drejt de-përshkalëzimit. Ky hap, së bashku me zgjedhjet e parakohshme në veri (shtator, 202) si dhe lirimin nga arresti për t’u mbrojtur në liri e pesë serbëve, që ministri Sveçla i portretizonte “terroristë” dhe “kriminelë” âsht indikator se palët kanë nisë me e zbatu Marrëveshjën e Brukselit, përkatësisht Ohrit, prapa shpine dhe syve të publikut”, ka shkruar Matoshi.

Akuzat publike të Sveçlës

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, kishte publikuar disa shkrime, me fotografi, ku akuzonte të arrestuarit serbë si kriminel, e të cilët më vonë u liruan nga gjykatat e Kosovës. Sveçla ishte marrë edhe me Spasiqin, duke shkruar me siguri absolute se Spasiq ishte “sulmuesi” i gazetarëve. Madje, pa ia njohur të drejtën e prezumimit të pafajësisë, Sveçla konkludonte se Spasiq ishte “kriminel”.

“Sot është arrestuar nga Policia e Kosovës në Jarinje edhe një sulmues i gazetarëve në veri, krimineli Dalibor Spasic.... Në vendin tonë demokratik aktet kriminale nuk kalojnë pa pasoja. Këtë duhet ta dijnë edhe ata për të cilët nuk ka pasur pasoja ligjore për gjithë këto vite. Republika nuk zmbrapset përballë kriminelëve e milicisë fashiste.” - shkruante Xhelal Sveçla.

Sveçla ishte marrë edhe me Vllaskoviqin, që u lirua ditë më parë, të cilin e kishte cilësuar si udhëheqës të grupit që ka sulmuar gazetarët e mediumit Kallxo në Leposaviq.

“Një nga udhëheqësit e grupit që ka sulmuar gazetarët e mediumit Kallxo në Leposaviq me datë 29 maj, sapo është arrestuar. Nemanja Vllaskoviç do të ballafaqohet me drejtësi për sulmet e kryera ndaj gazetarëve tanë.” - kishte njoftuar ai në profilin e tij në Facebook.

Lajme të ngjashme