Serbët në Graçanicë grumbullohen për protestën pas arrestimit të të dyshuarit për krime lufte (Pamje) - NACIONALE

Serbët në Graçanicë grumbullohen për protestën pas arrestimit të të dyshuarit për krime lufte (Pamje)

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Serbët në Graçanicë kanë nisur të grumbullohen për protestën e thirrur sot, pas arrestimit të një qytetari atje nën dyshimet për krime lufte.

Ekipi i Nacionales po qëndron atje, prej ku shihet se një numër qytetarësh tashmë veç se janë grumbulluar.

E pranishme po ashtu, është edhe bashkëshortja e personit të arrestuar.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka konfirmuar se D.M dyshohet për “krime lufte kundër popullsisë civile”.

Përmes një komunikate për media, Policia ka thënë se ai dyshohet për krime gjatë periudhës 1998-1999.

Policia ka bërë të ditur se për të dyshuarin, ekzistojnë prova se në bashkëkryerje me disa persona të tjera, gjatë luftës në cilësinë e gardianit të burgut, më konkretisht në burgun e Lipjanit, kanë ushtruar torturë, dhunë fizike, psiqike, keqtrajtim e maltretim ndaj të burgosurve shqiptarë.

“Ndaj të njëjtit janë siguruar prova për ekzistimin e dyshimit të arsyeshëm se në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë, gjatë periudhës së luftës në Kosovë në cilësi të personave zyrtar (gardian të burgut) në Prishtinë dhe në paralelen e ndarë nga Prishtina konkretisht në burgun e Lipjanit, në mënyrë sistematike, dyshohet se kanë ushtruar torturë, dhunë fizike, psikike, keqtrajtime dhe maltretime çnjerëzore dhe të skajshme për jetën ndaj të burgosurve shqiptarë. Si rezultat i punës dhe hetimeve intensive Policia e Kosovës, me datën 21.06.2023, në orët e paradites, zonën e Graçanicës, ka ndaluar dhe ka shoqëruar në polici të dyshuarin në fjalë.” – thuhet në komunikatë.

Të dyshuarit, i është sekuestruar një armë zjarri, 136 fishekë, një thikë ushtarake, një shifër metalike, dhe dokumente, vendime, telefon personal e të tjera.

“Në konsultim me prokurorin kompetent nga Prokuroria Speciale i dyshuari i lartcekur është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës të siguruar nga familja, nën dyshimin se i njëjti është përfshirë në veprën penale ‘krime lufte kundër popullsisë civile’.” – bëhet e ditur në fund të komunikatës së policisë.

Lajme të ngjashme