Sëmundja e lopës së çmendur është shfaqur në Holandë - NACIONALE

Sëmundja e lopës së çmendur është shfaqur në Holandë

3 vjet më parë

nga Lirim Krasniqi

Holanda ka raportuar një rast të encefalopatisë spongiforme të gjedhit (BSE) në një fermë blegtorale, duke theksuar se mishi i kafshës së sëmurë nuk ka hyrë në zinxhirin ushqimor, ndaj nuk ka asnjë rrezik për shëndetin publik. Ngrënia e mishit të një kafshe që vuan nga sëmundja e lopës së çmendur mund të shkaktojë sëmundjen fatale Creutzfeldt-Jakob te njerëzit, kujton dpa.

Ministria e Bujqësisë informoi parlamentin në Hagë për rastin, pa specifikuar vendndodhjen e fermës. Autoritetet theksuan se objekti është i izoluar dhe se heqja e plehrave, mishit dhe kafshëve është e ndaluar. Shërbimet kompetente po përpiqen të identifikojnë viçat e kafshëve të infektuara, të cilat duhet të vriten. Ata shtuan se edhe bagëtitë që hëngrën të njëjtin ushqim do të vriten.

Që nga viti 2011 nuk është regjistruar asnjë rast i variantit atipik të sëmundjes së lopës së çmendur

Laboratori ende nuk ka përcaktuar se me cilin variant të BSE ishte infektuar kafsha. Holanda nuk ka regjistruar një rast të të ashtuquajturit variant atipik të sëmundjes së lopës së çmendur që nga viti 2011. Një formë e tillë e sëmundjes mund të zhvillohet, për shembull, te kafshët e vjetra.

I ashtuquajturi variant klasik u regjistrua për herë të parë në Britani në vitin 1986 dhe u shkaktua nga proteinat shtazore në ushqimin e kafshëve. Holanda ka regjistruar 88 raste të BSE klasike që nga viti 1997. /Nacionale/

Lajme të ngjashme