Sekretarja e Thesarit e ShBA-së paralajmëron për katastrofë financiare nga borxhi publik
Sekretarja e Thesarit e Shteteve të Bashkuara, Janet Yellen, u bëri thirrje të premten anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve që ta ngrenë kufirin e borxhit federal pa kushte, duke paralajmëruar se dështimi i mundshëm për ta paguar atë do të shkaktonte “kolaps ekonomik dhe financiar”.
Në seancën për buxhetin në Dhomën e Përfaqësuesve, zyrtarja e lartë tha se dështimi për ta rritur kufirin e borxhit prej 31,4 trilionë dollarësh do ta kërcënonte përparimin ekonomik që ShBA-ja e ka bërë që nga pandemia e koronavirusit, raporton agjencia “Reuters”.
“Sipas vlerësimit tim – dhe të atij të ekonomistëve gjerësisht – një dështim për borxhin tonë do të nxiste një katastrofë ekonomike e financiare. U bëj thirrje të gjithë anëtarëve të Kongresit që të bëhen bashkë për ta adresuar kufirin e borxhit – pa kushte dhe pa pritur deri në minutën e fundit”- deklaroi zonja Yellen.
Kur u pyet për mundësinë e dhënies përparësi pagesave për t’i mbuluar pagesat e borxhit të ShBA-së së pari nga burimet e keshit në dispozicion, siç kanë sugjeruar disa anëtarë të Partisë Republikane në opozitë, Yellen tha se kjo “nuk është zgjidhje për problemin e kufirit të borxhit”.
“Dhënia e prioritetit është thjesht mospagimi i të gjitha faturave qeveritare, kur atyre u vjen afati. Kjo është diçka që ne kurrë nuk e kemi bërë që nga viti 1789 dhe ajo është vërtet vetëm dështim (për ta paguar borxhin) me emër tjetër”- tha ajo.
WATCH: U.S. Treasury Secretary Janet Yellen urged members of the House of Representatives to raise the federal debt ceiling without conditions, warning that a default on U.S. debt would cause an ‘economic and financial catastrophe’ https://t.co/lU1HOQWO6L pic.twitter.com/ls16L5EMHN
— Reuters Business (@ReutersBiz) March 10, 2023
Sipas zonjës Yellen, opsioni i vetëm për shmangien e një rritjeje dërrmuese të shkallës së interesit pas dështimit për ta paguar borxhin, është që ShBA-ja të zotohet për t’i paguar faturat me kohë, përcjell Nacionale.
“Nëse ne nuk e bëjmë atë dhe mendojmë se ekziston njëfarë rruge e shkurtër përreth saj që do ta shmangte kaosin ekonomik, po tallemi me veten, sepse mospagimi i faturave qeveritare do të prodhojë kolaps ekonomik e financiar”- shtoi ajo.
Disa republikanë kanë kërkuar lëshime sa u përket shpenzimeve nga presidenti Joe Biden në këmbim të votimit të zgjerimit të kufirit të borxhit.

