Sekretari i NATO-s në takim me Vuçiqin: Serbia prej kohësh ka qenë partner i besueshëm - NACIONALE

Sekretari i NATO-s në takim me Vuçiqin: Serbia prej kohësh ka qenë partner i besueshëm

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se Aleanca vazhdon të garantojë lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, raporton RTS.

Në lidhje me dhunën e protestuesve serbë ndaj anëtarëve të KFOR-it, ai theksoi se sulmet ndaj misionit të NATO-s në Kosovë janë të papranueshme. "Kemi rritur praninë tonë si reagim ndaj tensioneve në veri. Do të vazhdojmë të sigurojmë zbatimin e mandatit tonë në mënyrë transparente", u shpreh Stoltenberg.

Ai vuri në dukje se dialogu është mënyra e vetme e duhur për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe përmendi se BE-ja është e angazhuar si ndërmjetëse e këtij dialogu, mbështetur nga NATO.

Stoltenberg shprehu bindjen se Serbia ka qenë dhe vazhdon të jetë një partner i besueshëm i NATO-s dhe se Aleanca ka besimin se Serbia do të angazhohet në dialogun e përmendur më lart në mënyrë konstruktive.

“Është e rëndësishme që të ulen tensionet dhe për këtë arsye ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që ta bëjnë këtë dhe të përmbahen nga veprimet që do të çonin në përshkallëzim. Ne besojmë se e vetmja mënyrë korrekte është pjesëmarrja aktive në dialogun në të cilin BE-ja ndërmjetëson dhe mbështetet nga NATO. Serbia ka qenë prej kohësh partner i besueshëm i NATO-s dhe ne jemi të bindur se do të angazhohet në atë dialog në mënyrë konstruktive”, tha Stoltenberg.

Lajme të ngjashme