S'duron më Avdullah Hoti, i quan "hipokritë e mashtrues" Kurtin dhe Osmanin: Krahasoni këto dy situata - NACIONALE

S'duron më Avdullah Hoti, i quan "hipokritë e mashtrues" Kurtin dhe Osmanin: Krahasoni këto dy situata

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-kryeministri i Kosovës aktualisht deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti i ka quajtur “hipokritë e mashtrues”, presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Hoti në Facebook ka shkruar se koordinimi dhe marrëveshjet me Amerikën nuk janë të dëmshme për Kosovën asnjëherë.

Ai ka krahasuar veprimin e tij gjatë viti 2020 dhe veprimet aktuale të Qeverisë Kurti.

“Unë e kuptoj se nuk ka pasur zgjidhje tjetër, por krahasoni vetë këto dy situata: - Më 4 shtator 2020, ne bëmë veprim strategjik në koordinim me SHBA-në. - Ndërkaq, tani SHBA-ja i nxori këta dy anarkistë nga bataku ku kishin rënë, të cilin e kishte përgatitur Serbia me strukturat kriminale në veri.”, ka shkruar ndër të tjera ai.

Shkrimi i plotë:

Koordinimi dhe marrëveshjet me Shtëpinë e Bardhë asnjëherë nuk janë të dëmshme për Kosovën

Më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë, pas pranimit të njohjes nga Izraeli, pata pranuar kërkesën e SHBA-së që të shtyhet aplikimi për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

U patën mobilizuar opozita e atëhershme me akuza për tradhti. Në dhjetor 2021, në fjalën e saj në Kuvendin e Kosovës, Presidentja si zakonisht nxori vrer dhe urrejtje patologjike për këtë veprim timin.

Në të vërtetë, ajo çfarë kisha bërë unë në Shtëpinë e Bardhë ishte dakordimi me aleatin kryesor të Kosovës për kohën e përshtatshme për aplikim. Vetëm mendje të sëmura politike mund të cilësonin akt tradhtie një marrëveshje për Kosovën me SHBA-në të arritur në Shtëpinë e Bardhë.

Tani Presidentja i shtyn zgjedhjet në komunat në veri pa asnjë bazë kushtetuese. Këtë ajo e bëri me kërkesë të ShBA-së pas situatës së krijuar në komunat në veri dhe në koordinim me shefin e saj në Qeveri.

Unë e kuptoj se nuk ka pasur zgjidhje tjetër, por krahasoni vetë këto dy situata:

- Më 4 shtator 2020, ne bëmë veprim strategjik në koordinim me SHBA-në.

- Ndërkaq, tani SHBA-ja i nxori këta dy anarkistë nga bataku ku kishin rënë, të cilin e kishte përgatitur Serbia me strukturat kriminale në veri.

Këta janë vetëm hipokritë e mashtrues, që shkelin çdo gjë për pozitat e tyre.

Lajme të ngjashme