Sahati godet mbrapsht për Albulenën, i mbesin veç edhe 9 herë për të dështuar përfundimisht
Shteti i Kosovës tashmë është vendosur në raport kauzal (shkak – pasojë, nëse A atëherë B, nëse jo-A atëherë jo-B) me zgjedhjen e Albulena Haxhiut.
S’ka një pa tjetrën.
Për të 43’ën herë me radhë dështoi zgjedhja e saj Kryetare e Parlamentit me Vetëvendosjen e cila s’e heq nga votimi: ose të ose hiç.
Me Ligj Kushtetues tashmë kanë mbetur edhe nëntë seanca (20 ditë) që ajo ose duhet të zgjedhjet ose konstatohet fundi i kësaj legjislature.
Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e përmbylli – ndonëse nuk kallxoi se çka pastaj – se me 26 korrik është afati kur duhet të konstitutohet Kuvendi i Kosovës.
Kryesuesi thjesht ceremonial dhe thjesht nga virtyti i moshës, Avni Dehari, dorëz-në-dorë të Vetëvendosjes e ka pamundësuar ecjen tutje duke e mbajtur të mbyllur votimin e deputetëve përmes një të ashtuquajturi komision për votim të fshehtë.
Aktgjykimi i Gjykaëts Kushtetuese ia konstatoi antikushtetuese Deharit këtë mocion procedural i cili nuk lejohet në seancë konstitutive, por vetëm në plenare, por aq më keq për Ligjin Kushtetutes, i cili për nga hierarkia juridike supozohet të zbatohet me automatizëm.
Votimi i hapur është larguar nga VV me arsyetimin se dështoi tetë herë por i ashtuquajturi komision për votim të fshehtë “mbetet” anipse ka dështuar mbi tridhjetë herë.
Për më tepër, tashmë është e 3’ta herë që Albin Kurti ua ka marrë të drejtën e votës në Parlament të Kosovës deputetëve që s’janë nën sigël të partisë së vet.
Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014 dhe i rikonfirmuar në aktgjykimin e fundit të para një jave, risjell atë se “deputetët votojnë SI TË DËSHIROJNË, në mënyrë të hapur ose të fshehtë”.
Por, prap, aq më keq për aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese.
Albin Kurti, përmes kryesuesit të seancës konstitutive thjesht nga virtyti i moshës, Avni Deharit, ia ka hequr lirinë dhe të drejtën e kodifikuar kushtetuetshmërisht si “si të dëshirojnë” në atë se si dëshiron vetëm ai: votim të fshehur.
Pika 155 e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese ia ndaloi Deharit të mund të ndërmerrë diçka të re nga ajo që është përcaktuar: rendi i ditës i caktuar, thanë ata, është “përmbajtja kryesore dhe e vetme e seancës konstitutive”.
Nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë dërguar lëndë të reja për lëndën e njëjtë në Gjykatën Kushtetuese për të kërkuar konstatim të paeukivok për shkeljet e Deharit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në stilin e saj të kahershëm as/as dhe edhe/edhe tha se votimi i fshehtë “lejohet, por duhet konsensus”.
Albulena Haxhiu është kundërpërgjigjur indirekt në deklaratat e presidentes Osmani se deputetët duhet të pyeten për votimin e mbyllur.
“Opozita thotë se e keni ndryshuar rendin e ditës, kjo nuk qëndron. Kryesuesi i seancës me përpikmëri i është përmbajtur rendit të ditës. Kemi mbetur te pika e tretë. Ata që thonë se duhet votim para votimit të fshehtë, duhet t’i pyesim a është dashur para se të votojmë hapur”, tha Haxhiu.